Iran, Garda Revolucionare paralajmëron protestuesit

Po të shtunën, autoritetet njoftuan se personi i armatosur që vrau 15 persona në një vend të shenjtë të sektit shiit, në Iranin jugor në fillim të kësaj jave, vdiq në një spital nga plagët e marra gjatë arrestimit. Teherani nuk ka zbuluar detaje rreth personit që kreu sulmin e së mërkurës në Shah Cheragh në Shiraz, faltorja e dytë më e rendësishmja për sektin shiite në Iran.

Grupi militant “Shteti Islamik” mori përgjegjësinë për sulmin. Por qeveria e Iranit është përpjekur të fajësojë protestuesit, kryesisht paqësorë, lidhur me sulmin por pa ofruar prova.

Amaq, krahu mediatik i grupit militant, publikoi një video të shtunën që supozohet se tregon sulmuesin e Shirazit duke u zotuar për besnikëri ndaj grupit.

Trazirat mbarëkombëtare, të shkaktuara nga vdekja e 22 vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator në duart e policisë së moralit, kanë tronditur Republikën Islamike. Mahsa Amini vdiq pasi u arrestua për shkeljen e kodit të rreptë islamik të veshjes për gratë.

Në funeralin për viktimat e sulmit me armë zjarri në Shiraz, shefi i Gardës Revolucionare, gjenerali Hossein Salami, u bëri thirrje iranianëve që të ndalojnë protestat. Garda dhe forcat e tjera të sigurisë kanë shtypur me dhunë trazirat duke përdorur armë zjarri dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

“Sot është fundi i trazirave. Mos dilni më në rrugë!” tha Salami të shtunën ndërsa turmat mbanim arkivolet e viktimave të sulmit në Shiraz. “Ne po i themi rinisë sonë, pakicës që është mashtruar, ndaloni veprimet e liga”.

Ai shtoi me të njëjtin ton të ashpër: “Ky rebelim ogurzi nuk do t’ju sjellë fund të lumtur. Mos e prishni të ardhmen tuaj!”

Pavarësisht kërcënimit, shoqatat studentore njoftuan për protesta në dhjetëra universitete në të gjithë vendin të shtunën, nga kryeqyteti Teheran deri në qytetet qendrore të Isfahan-it dhe Yazd-it. Videot e publikuara në internet tregojnë studentët duke bërë thirrje për liri dhe fundin e sundimit klerik të Iranit.

Marketing