Në Iran, alkooli është i ndaluar që nga viti 1979, por jo të gjithë heqin dorë, edhe me koston e rrezikimit të gjobave të rënda, ose 80 fshikullimeve me kamzhik të parashikuara si ndëshkim.
Problemi është i përhapur në pikën që prej vitit 2014, Republika Islamike ka hapur qendra për rehabilitimin e personave të alkoolizuar.
Ndalimi ama i ka dhënë hapësirë një trafiku klandestin pijesh alkoolike të bëra në shtëpi, pa kompetencat e domosdoshme, që shpesh ka rezultuar të intoksikojë një masë jo të vogël pijedashësish.
Me të gjitha gjasat, çfarë i ka helmuar njerëzit është prania e metanolit në alkool, një mbetje shumë e rrezikshme e produktit, që i provokon dëme shumë të rënda sistemit nervor dhe që duhet patjetër të eliminohet nga procesi i prodhimit.
Në ditët e fundit, në Iran numërohen deri tani 42 persona që kanë vdekur pikërisht prej këtij shkaku; 16 kanë humbur shikimin dhe 170 vetëve u është dashur t’i nënshtrohen dializës. Në total, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në spital kanë përfunduar 460 persona.
Mohammad Sadegh Akbari, shefi i policisë së provincës Hormozgan, ka theksuar se deri tani janë arrestuar 7 trafikantë. Raste të tjera, siç referon “Radio Europa e Lirë” janë sinjalizuar në provincat e Khorasanit verior, Alborz, Kohgiluyeh dhe Boyer Ahmad.
Sipas raporteve të dhëna nga shefi i policisë, kontrabanda e alkoolit vlen 730 milionë dollarë në vit, me 80 milion litra të importuara në mënyrë klandestine.
Por, rënia e rialit, monedha lokale, e lidhur edhe me sanksionet e administratës “Trump”, ka rritur në qiell çmimin e alkoolit të importuar dhe ka shtyrë shumë iranianë drejt produktit të nxjerrë nga mënyra më e rrezikshme e prodhimit, asaj në kushte shtëpie, pa mjetet e duhura.