Irani ka prezantuar një sistemi të ri raketor, të ndërtuar në nivel lokal, teksa vazhdon rritja e tensioneve në mes të këtij vendi dhe Shteteve të Bashkuara. Presidenti iranian, Hassan Rohani ka thënë në një fjalim më 22 gusht se sistemi raktor, tokë-ajër është krijuar meqenëse “armiqtë e Iranit nuk e kuptojnë logjikën, as ne nuk do të përgjigjemi me logjikë”.
“Kur armiqtë nisin raketë kundër nesh, ne nuk mund të mbajmë fjalim duke thënë: ‘Zonja Raketë, të lutem mos godit vendin dhe njerëzit tanë të pafajshëm’”, ka thënë Rohani gjatë fjalimit të tij në Teheran.
Fjalimi i Rohanit dhe sistemi raketor janë veprimet e fundit në luftën e fjalëve në mes të Teheranit dhe Uashingtonit, çka ka rritur shqetësimet për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur.
Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015 dhe kanë rikthyer të gjitha sanksionet ndaj Iranit.
Ekonomia e Iranit është goditur rëndë nga këto sanksione, të cilat kanë prekur sektorin financiar dhe atë të naftës iraniane.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se ekonomia e këtij shteti do të zvogëlohet për 6 për qind gjatë këtij viti.
Ceremonia e prezantimit të sistemit, Bavar-373, të cilin analistët ushtarakë e kanë konsideruar rivale të sistemeve ruse S-300, ka ndodhur në Ditën Kombëtare të Industrisë Mbrojtëse të Iranit.
Ministri iranian i Mbrojtjes, Amir Hatami, ka thënë për televizionin shtetëror se sistemi raketor për mbrojtje mund të identifikojë shënjestrat 300 kilometra larg dhe t’i shkatërrojë ato në 200 kilometra distancë.
Por, pavarësisht retorikës në rritje, Teherani vazhdon të deklarojë se nuk kërkon përballje me Uashingtonin.
“A do të ketë luftë në Gjirin Persik? Unë mund t’iu them se ne nuk do të nisim luftën, por do të mbrojmë veten”, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Mohammed Javad Zarif në Institutin Norvegjez për Çështje Ndërkombëtare.