Irani vazhdon të ulë angazhimet ndaj marrëveshjes bërthamore

Irani do të vazhdojë të zvogëlojë angazhimet që dalin nga marrëveshja bërthamore me fuqitë botërore e vitit 2015.

Marketing

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani tha se vendi do të vazhdojë me shkeljen e marrëveshjes, derisa vendet e Bashkimit Evropian të përmbushin premtimet e bëra në bazë të marrëveshjes.

Irani gradualisht ka zvogëluar angazhimet e tij bërthamore, pasi SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja.

Regjimi iranian u ka bërë thirrje palëve evropiane të paktit, të shpëtojnë marrëveshjen, duke mbrojtur ekonominë e Iranit nga sanksionet e SHBA-së.

Rouhani, duke folur në televizionin shtetëror, gjithashtu tha që Irani do të fillojë të punojë më shumë në avancimin e centrifugave të pasurimit të uraniumit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte arsyetuar tërheqjen amerikane nga marrëveshja me faktin se ajo i mundëson Iranit të pajiset me armë bërthamore për disa vite.

SHBA-ja ka bërë thirrje për të diskutuar arritjen e një marrëveshjeje të re, përderisa në ndërkohë ka vënë sanksione të ashpra ndaj Iranit.

Autoritetet amerikane e konsiderojnë Iranin si sponsorizuesin kryesor të terrorizmit në rajon.