Irina Sotirova Buhova largohet nga pozita e drejtoreshës në Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor

Irina Sotirova Buhova nuk do të jetë më drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor.

Marketing

Mandati i saj në krye të ISHSSH-së ka skaduar në prill të këtij viti, por ajo ka vazhduar të kryejë funksionin deri në emërimin e drejtorit të ri.

Sipas informacioneve, pas përfundimit të mandatit 4 muaj më parë, vetë Buhova ka kërkuar nga Qeveria që të emërojë një person tjetër që do të drejtojë inspektoratin shëndetësor.

Në ndërkohë, OBRM-PDUKM-ja opozitare e akuzoi Buhovën në konferenca për shtyp për disa ditë që ka lejuar që një spital privat i syve në qendër të Shkupit të vazhdojë operimin e pacientëve pa leje përkatëse.

“Irina Buhova është vetëm e fundit në serinë e drejtorëve që japin dorëheqjen ose le të themi justifikohen se ka kohë që ka dashur të largohet nga posti, por nuk kanë gjetur një zëvendësues të denjë partiak për të. Ajo largohet në momentin kur shpallim një skandal të madh për të, ku lejoi të funksiononte ilegalisht një spital privat për sy. Duhet të ketë përgjegjësi. Edhe një herë i bëj thirrje ministrit Bekim Sali që sa më shpejt që të jetë e mundur së bashku me institucionet tjera të rendit të hapin hetim për këtë rast dhe t’i bëjnë publike faktet”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i OBRM-PDUKM-së.

Paraprakisht, Buhova ka mohuar këto pretendime.

Ndryshe, mjekja Irina Sotirova Buhova është emëruar drejtoreshë e Inspektoratit Shëndetësor në vitin 2017 dhe pritet që Qeveria në njërën nga seancat e ardhshme të emërojë edhe një udhëheqës të ri të inspektoratit shëndetësor.