Irlandë, Johnson: Brexit pa marrëveshje do të ishte dështim

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje do të ishte “dështim” për të cilin do të ishin përgjegjëse qeveria britanike dhe ajo irlandeze.

Marketing

Johnson është në Dublin për takimin e tij të parë të drejtpërdrejtë me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, prej kur ka nisur udhëheqësinë në muajin korrik.

Ai ka thënë se beson që marrëveshja është ende e mundshme përmes një samiti të Bashkimit Evropian në muajin tetor.
Megjithatë, Varadkar, ka thënë se nuk ekziston diçka e tillë si “ndarje e pastër” në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Johnson në anën tjetër ka hedhur poshtë mundësinë e shtyrjes së Brexitit përtej 31 tetorit, derisa qeveria irlandeze ka thënë se do ta mbështeste një tjetër zgjatje të afatit.

Varadkar po ashtu ka paralajmëruar se rreziku i Brexitit pa marrëveshje “është duke u rritur”.

Ndërkohë po të hënën, qeveria britanike do t’iu kërkojë të hënën deputetëve që të pajtohen për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme, çka mund të jetë një nga vendimet e fundit të parlamentit para se të pezullohet puna e tij.

Mirëpo qeveria pritet të përballet me humbje, pasi partitë opozitare kërkojnë që fillimisht të miratohet projektligji i tyre që synon të parandalojë largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje.