Një hetim për vrasje është hapur ndaj ish-kryeministres së Bangladeshit Sheikh Hasina lidhur me vrasjen e një burri nga policia gjatë trazirave civile muajin e kaluar.
Gjashtë figura të tjera kryesore në qeverinë e mëparshme po hetohen gjithashtu pas javëve të trazirave vdekjeprurëse në kryeqytetin Dhaka.
Mamun Mia, një avokat që ngriti çështjen në emër të një qytetari privat, tha se gjykata në Dhaka kishte urdhëruar policinë të pranonte “çështjen e vrasjes kundër personave të akuzuar”.
Ky është hapi i parë në një hetim penal sipas ligjit të Bangladeshit.
Hasina dha dorëheqje dhe u largua nga vendi në fillim të këtij muaji, duke ikur në Nju Delhi, Indi pasi trazirat politike destabilizuan qeverinë, raporton BBC.
Më shumë se 400 njerëz u vranë në demonstratat e studentëve kundër Hasinas. Shumë prej tyre u qëlluan nga policia, me urdhër të saj.
Biznesmeni Amir Hamza aplikoi për të sjellë rastin e vrasjes në korrik, pasi një shitës ushqimor lokal, Abu Saeed u qëllua në kokë teksa po kalonte rrugën.
Ai i tha një gjykate se më 19 korrik, studentët po mbanin një protestë paqësore dhe policia kishte qëlluar pa dallim mbi turmën, sipas BBC Bangla.
Hamza tha se ai nuk ishte i lidhur me Saeed, por iu drejtua gjykatës sepse familja e Saeed nuk kishte financat për të paraqitur çështjen.
“Unë jam qytetari i parë i zakonshëm që tregova guximin për të ndërmarrë këtë hap ligjor kundër Sheikh Hasinës për krimet e saj. Do ta shoh çështjen deri në fund,” i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters.
Rajesh Choëdhury urdhëroi policinë të hetonte rastin, i pari që do të ngrihej kundër Hasinës që nga fillimi i protestave.
Ish-ministri i Transportit dhe Urave, Obaidul Quader është mes atyre që po hetohen.
Qeveria e Hasinës, e cila ishte në pushtet për 15 vjet, u akuzua për shkelje të përhapura të të drejtave të njeriut dhe e ndjekur nga akuzat për korrupsion të shfrenuar.
Protestat më të fundit të studentëve filluan në fillim të korrikut, duke filluar si kërkesa paqësore nga studentët e universitetit për të hequr kuotat në vendet e punës në shërbimin civil, përpara se të transformoheshin në një lëvizje më të gjerë për të rrëzuar qeverinë.
Zonja Hasina i kërkoi policisë të shtypë fort protestuesit, duke iu referuar atyre si “jo studentë, por terroristë që synojnë të destabilizojnë kombin”.
Qeveria e re e formuar së fundmi përmban shumë prej protestuesve dhe drejtohet nga laureati i Nobelit për Paqe, Muhamed Yunus.
Hasina do të kthehet në vend kur të shpallen zgjedhjet, ka thënë djali i saj Sajeeb Wazed Joy.