Ish-lideri i “Wagner”, Yevgeny Prigozhin përjetësohet me një statujë në Afrikën Qëndrore

Në Rusi, një nderim i tillë ndoshta nuk do t’i bëhet kurrë, por në Republikën e Afrikës Qendrore, kreu i ndjerë i grupit mercenar “Wagner”, Yevgeny Prigozhin është nderuar me një statujë.

Marketing

Statuja e Prigozhin dhe krahut të tij të djathtë, Dmitri Utkin u ngrit në kryeqytetin e vendit, Bangui. Në ceremoninë e zbulimit të statujave morën pjesë ministri i Mbrojtjes Rameau Claude Birot dhe oficerë të lartë ushtarakë.

Prigozhin mban veshur një jelek antiplumb dhe një radio ndërsa bashkëluftëtari i tij mban një kallashnikov në dorë.

Mercenarët e Wagner kanë qenë të pranishëm në Republikën e Afrikës Qendrore që nga viti 2018, kur ata u ftuan nga Presidenti Tuandera për të ndihmuar në trajtimin e grupeve rebele. Në të njëjtën kohë, filialet e grupit vazhduan të lidhnin kontrata për funksionimin e minierave të arit dhe diamantit.

Grupi mercenar vepron në disa vende të tjera afrikane, por prania e tij më e rëndësishme është në Republikën e Afrikës Qendrore. Pas vdekjes së Prigozhin, grupi Wagner u riemërua Corps Africa.

Prigozhin dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Dmitri Utkin u vranë më 23 gusht 2023 në Rusi kur avioni i tyre u rrëzua, duke lënë të vdekur 10 personat që ndodheshin në bord.

Përplasja ndodhi dy muaj pas rebelimit të dështuar të Wagner ndaj pushtetit të Vladimir Putin, por Kremlini i mohoi në vazhdimësi spekulimet se ishte përgjegjës për rrëzimin.