Katër ish-ministra të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Greqisë, Qipros dhe Bullgarisë i bënë thirrje Bashkimit Evropian menjëherë të fillojë me negociatat inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ish-ministrat Ditmir Bushati, Nikos Koxias, Janis Kasulidis dhe Daniel Mitov e porositën Unionin të mos i prolongojë negociatat me Shkupin dhe Tiranën për shkak të kërkesave të disa vendeve të caktuara anëtare, publikoi Agjencia e Pavarur Ballkanike e Lajmeve (IBNA).
“Komisioni Evropian më 29 maj e prezentoi planin e vet për politikën e zgjerimit me BE-në me raporte përkatëse për vendet. Komisioni Evropian e përsëriti rekomandimin e Këshillit të hapen negociata për t’u bashkuar me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në bazë të progresit të arritur. Edhe pse politika e zgjerimit është politika më e suksesshme transformuese e BE-së, ajo asnjëherë nuk ka qenë lëndë e një ambivalence kaq të madhe brenda BE-së”, thuhet në kumtesën e katër ministrave.
Ata kërkojnë prej vendeve anëtare të BE-së t’i mbështesin rekomandimet e KE-së për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke theksuar se procesi inkuadrues jep mundësi më të mëdha për pasurimin e demokracisë, zhvillim shoqëroro-ekonomik dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve në çdo vend.
Sipas tyre, BE përmes vëzhgimit dhe skriningut do të ndihmojë dhe veprojë si partner në këtë proces.
“Rritja shoqëroro-ekonomike e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën e tyre drejt BE-së fuqishëm do të kontribuojë për stabilitet, siguri dhe zhvillimin e demokracisë, drejtësisë dhe lirisë së mediave në dy vendet”, shtohet në kumtesën e përbashkët.
Ish-shefat e diplomacive të Shqipërisë, Greqisë, Qipros dhe Bullgarisë konstatojnë në dokument se “të gjitha vendet anëtare të BE-së, para së gjithash Gjermania dhe Franca, të tregojnë përgjegjësi për të ardhmen e BE-së dhe Evropës dhe t’i plotësojnë premtimet e tyre. Në samitin e ardhshëm duhet, pa anulim, të përcaktohet datë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.