Ish-ministri Vuçeviç mandatohet për formimin e Qeverisë së re serbe 

Millosh Vuçeviç, ish-ministri serb i Mbrojtjes, njëherësh udhëheqës i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë. 

Kështu njoftoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përmes një postimi në Instagram. 

Në vendimin, që u nënshkrua nga Vuçiçi, u tha se Millosh Vuçeviç deri më tani ka kryer me përgjegjësi detyrat e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes “duke treguar se ka dedikim dhe ekspertizën e nevojshme për të kryer funksionin e kryeministrit”. 

“Besoj se Millosh Vuçeviçi ka kualitetit profesionale dhe personale për të kryer detyrën e kryeministrit dhe ai më siguroi se mund të zgjedhë një qeveri”, tha Vuçiç. 

Vuçiç tha se kryeministri i ri i Serbisë “do të vazhdojë të zbatojë programet që synojnë të rrisin standardin e jetesës të të gjithë qytetarëve, projekte në fushën e shëndetësisë, arsimit, shkencës dhe teknologjisë, zhvillimin e infrastrukturës, ekologjisë, energjisë bujqësisë, turizmit si dhe në fusha të tjera të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë dhe përparimit të saj në rrugën evropiane”. 

Ndër detyrat e kryeministrit të ardhshëm serb do të jetë organizimi i panairit botëror, EXPO 2027, si dhe ruajtja e paqes, stabilitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. 

Marketing

“Ruajtja e paqes dhe stabilitetit, integritetit territorial të Serbisë konsiston në respektimin e ligjit ndërkombëtar, bashkëpunimin rajonal dhe përkujdesje ndaj interesave thelbësore të Serbisë do të vazhdojnë të jenë prioritetet për punën e Qeverisë”, tha Vuçiç. 

Afati i fundit për formimin e Qeverisë së Serbisë është 90 ditë nga data e konstituimit të Parlamentit serb./REL