Universiteti i Tetovës është shndërruar në institucion të admiruar për shumë ligjërues të profileve të ndryshme, si nga vendi po ashtu edhe nga arena ndërkombëtare. Si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjeve dhe memorandumeve për bashkëpunim me universitete prestigjioze, institute kërkimore – shkencore dhe institucione të tjera, në Universitetin tonë para studentëve tanë, tashmë mbajnë ligjërata profesorë eminentë, personalitete publike që kanë ushtruar funksione të larta shtetërore në vendet prej nga vijnë.
Një personalitet i këtij niveli është edhe Stephen Herm, ish prokuror i Washington D.C, i cili më 10 prill 2019, para studentëve të Fakultetit Juridik mbajti ligjëratë, me temë: “Juristët, drejtësia dhe e drejta”.
Ish prokurori amerikan në ligjërimin e tij u fokusua në aspektet praktike të zbatimit të së drejtës në SHBA, ku sipas tij, rol pothuaj të njëjtë i kushtohet punës së gjykatës dhe paralelisht me të edhe punës së organeve zbatuesve të ligjit, siç janë policia dhe prokuroria.
Ligjërata e Stephen Herm u përcoll me interes nga studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit tonë, të cilët parashtruan disa pyetje për funksionimin e sistemit juridik në SHBA dhe kërkuan opinionin e tij për situatën dhe sundimin e së drejtës në Maqedoninë e Veriut.
Studentët e UT-së mbajtjen e ligjëratave të tilla e vlerësojnë të dobishme për thellimin e njohurive të tyre profesionale dhe për të mësuar nga përvoja e drejtuesve të shteteve me demokraci të zhvilluar.