Ish-ushtari i UÇK-së lufton për mbijetesë

Kur të gjithë njerëzit kanë bërë shpenzime të mëdha në ndërrimin e motmoteve, edhe ky vit Bekim Alilin e gjeti duke u përpëlitur për kafshatën e gojës dhe për mbijetesë. Bekimi nuk i shmanget punës dhe aktualisht punon roje nate nëpër objekte, por me pagën e vogël që merr nuk arrin të paguajë as qiranë dhe faturat e larta të energjisë elektrike.

Marketing

“200 euro e kam qiranë, ku është ushqimi dhe gjërat tjera. Nëse i llogarisim në muaj, kam harxhime 400 euro. E kam vajzën në shkollë, po duhet ta dërgoj nëpër mjek, t’i jap para për në shkollë. Shyqyr që më ndihmon edhe ky i shtëpisë, më pret për të hollat, sepse e din që nuk mund t’ia dal. Edhe këtu e kam përkohësisht, nuk e kam sa dua të rrijë. Këtu e kam për 5-6 muaj, pastaj duhet të kërkoj tjetërkund banesë”,- theksoi kryefamiljari, Bekim Alili.

Pavarësisht se Bekimi vuri në rrezik jetën e tij për të mirën e këtij vendi, për një të ardhme më të mirë, duke qenë krah i luftës në Kosovë dhe Maqedoni në vitin 2001, si pjesëtar i UÇK-së, sot ai ka mbetur në mëshirën e fatit, pa shtëpi dhe pa shpresa për ardhmëri më të mirë.

“Luftën e kemi bërë për pasardhësit tanë, për rininë tonë, që të jenë më të lirë. Por, tash kemi mbetur kështu, si të them, na kanë lënë ndër këmbë. Ishalla Allahu na drejton, sepse edhe luftën për atë e kemi bërë, e kemi bërë për pasardhësit tanë. Ne nuk kemi bërë luftë për të arritur diçka”,- tha kryefamiljari, Bekim Alili.

E vetmja arsye që e detyroi të kërkojë ndihmë publikisht është vajza e tij, të cilën e do aq fort. Ky prind e përpiu lëmshin që i ishte mbledhur në fyt, sepse, siç tha ai, asnjëherë nuk ia shtriva dorën njeriu, por këtë sakrificë si e bën për familjen.

“Jo për vete, më shumë vajzën dua ta drejtoj. Këtë dua më tepër”,- tha kryefamiljari, Bekim Alili.

“Unë mërzitem shumë për babin, i cili gjithmonë vetëm për mua punon dhe mundohet. Kisha pasur dëshirë të kemi vetëm një kulm mbi kokë”,- theksoi vajza, Elmedina Alili.

Sfidat dhe problemet e tij filluan para dy vitesh, sepse deri atëherë ka qëndruar në një shtëpi me qira, të cilën e ka pagua me një shumë të arsyeshme dhe të përballueshme për pagën që merr.

Bekimi dukej modest dhe tha se ndjehet i turpëruar ta kujtojë dhe përmendi sakrificën që bëri për popullin, sepse ai nuk dëshironte të përfitojë nga meritat e luftës, por e pamë të arsyeshme ta plasojmë historinë e Bekimit dhe kontributin e tij për popullin në ditët më të vështira, duke shpresuar se edhe populli do t’ia kthejë në të njëjtën monedhë, duke ia zgjidhur problemin e strehimit. (TVM2)
kontakt tel.: 072 555 176