Ish-ministri i arsimit dhe shkencës, Petar Atanasov kërkon që viti i ri shkollor të fillojë një muaj më vonë, gjegjësisht në tetor, ndërsa deri atëherë të krijohen të gjitha kushtet, nëpër shkollat ku mund të zhvillohet proces i sigurt mësimor.
Ai në një bisedë për portalin Faktor ka theksuar se është humbur kohë e çmuar për parapërgatitje, për shkak se sipas tij, gjatë verës asgjë nuk është punuar, derisa tani siç thotë në shtator do të jetë koha e mjaftueshme për të ndërmarrë të gjitha masat që në tetor të fillojë procesi mësimor nëpër shkolla.
Atanasov thotë se duhet të përcaktohen orare të shkurtuara, dhe se Ministria e arsimit të formojë një ekip me mësues me përvojë dhe të dalluar, që do të përgatisin dhe harmonizojnë tërë planin.
“Mësimi të fokusohet në lëndët bazike dhe fëmijët të lirohen nga lëndët e panevojshme. Në disa lëndë nuk është patjetër të ketë notim. Të vendoset një platformë digjitale nga ana e Ministrisë së arsimit, të hartohen protokolle për komunikimin me fëmijët”, theksoi Atanasov.