ISHP: Për një javë dyfishohet numri i të prekurve nga KOVID-19

Nga 12 deri 18 më gusht në vend janë regjistruar 271 raste të reja të pacientëve me Kovid-19, që paraqet një rritje prej 60,4 për qind krahasuar me javën e kaluar. Janë testuar gjithsej 608 materiale në laboratorët ku kryhen testime molekulare dhe antigjenike për praninë e SARS-CoV-2, me një rritje prej 33,3 për qind.

Marketing

“Në javën aktuale të sëmurë janë regjistruar në komunat e 17 qyteteve. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruar janë nga Shkupi – 152, Kavadari – 25, Tetova – 23, dhe nga Ohri – 22, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Kavadar”, shkruhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik të publikuar pasditen e sotme.

Janë regjistruar persona të infektuar nga të gjithë grupmoshat, ndërsa numri më i madh i rasteve janë të grupmoshës mbi 60 vjeç.

“Gjatë javës së kaluar, është raportuar për një person të vdekur me Kovid-19. Bëhet fjalë për një person të moshës mbi 60 vjeç, me sëmundje shoqëruese, i pavaksinuar me vaksinën kundër Kovid-19”, sqarojnë nga ISHP-ja.
Deri më 18 gusht, janë raportuar gjithsej 351,364 raste me Kovid-19, nga të cilat 23.245 riinfeksione.
“Janë regjistruar 167.343 meshkuj dhe 184.021 femra persona të infektuar. Numri më i madh i të infektuarve janë të moshës mbi 60 vjeç – 90.796, ndërsa morbiditet më i lartë (26.333.6/100.000) është regjistruar nga grupmoshat 30-39 vjeç”, shkruan në raport.

Marketing