IShS: Nuk ka shkelje të procedurave në trajtimin e 17-vjeçarit me autizëm

Nuk ka shkelje të procedurave në trajtimin e 17-vjeçarit me autizëm në spitalin psikiatrik në Demir Hisar, ka konstatuar Inspektorati Shtetëror Sanitar në mbikëqyrjen e jashtëzakonshme.

Marketing

Djaloshi ishte i vendosur në repartin e adoleshentëve, por për shkak të agresivitetit të tij ndaj pacientëve është zhvendosur në repartin akut për pacientë që sillen në mënyrë të dhunshme, thekson drejtoresha, Renata Mlladenovska.

Gjendja e tij shëndetësore është përcjellë në vazhdimësi dhe për këtë kanë qenë të informuar prindërit.

Ai edhe paraprakisht është mjekuar në Klinikën e Psikiatrisë, ka pasur rekomandim për kontroll, por prindërit nuk e kanë sjellë. Nga Inspektorati theksojnë se nuk ka keqtrajtim të pacientëve në Klinikën e Psikiatrisë.

“Ekzistojnë fiksatorë lëkure që janë të lejuara nga udhëzimet e mjekësisë të bazuara në dëshmi dhe i shfrytëzojnë veçanërisht për pacientë që kanë sjellje agresive. Prindërve u është theksuar se nuk është institucion adekuat për diagnozën e tij, megjithatë për shkak të përkeqësimit të gjendjes, mjekët kanë vendosur që të realizojnë një kujdes mjekësor, me qëllim mbrojtjen e tij.”, – deklaroi drejtoresha e Klinikës së Psikiatrisë, Renata Mlladenovska.

Ministri i Shëndetësisë u takua me nënën e 17 vjeçarit, Sallka Abdullovska. Ai shprehi keqardhje për situatën e krijuar dhe tha se asnjëherë nuk do të lejojë trajtim jo adekuat të pacientëve, veçanërisht të adoleshentëve.

“Edhe pse kam marrë garanci nga drejtuesit e spitalit se janë respektuar të gjitha protokollet për sigurinë e pacientit, rasti dhe funksionimi i Spitalit të Demir Hisarit do të jetë nën mbikëqyrjen e rreptë të Ministrisë. Inkurajoj institucionet tjera që kanë nisur procedurat për t’i përfunduar ato, në mënyrë që rasti të zbardhet deri në fund. Do të bëjmë përpjekje që djalin ta vendosim në internatin e shkollës për fëmijë me nevoja të veçanta “Partenij Zografski” në Shkup, ku shkon në shkollë.”, tha në takim ministri i Shëndetësisë.

Nëna e djalit 17-vjeçar ka treguar në takim se familja është shqetësuar edhe nga publikimi i fotove te rrejshme në publik, ku paraqiteshin të pavërteta se ishte fëmija i saj, ku shihet një djalë i ulur në tokë, i lidhur në krevat. Ministri i Shëndetësisë bën apel që të jenë të kujdesshëm në shpërndarjen e lajmeve të tilla delikate.