Ishujt e shkatërruar nga uragani “Dorian” rrezikohen nga një stuhi e re

Një stuhi tropikale me reshje të mëdha shiu dhe erëra të fuqishme po u afrohet Ishujve Bahamas, të cilët u goditën rëndë nga uragani “Dorian”. Kjo stuhi pritet t’i vështirësojë përpjekjet e rindërtimit të objekteve të shkatërruara nga uragani i kaluar.

Marketing

Stuhia e re, e emëruar si stuhia tropikale “Humberto”, pritet të sjellë deri 15 centimetra shi gjatë kësaj fundjave në zonat e ishujve të goditur nga uragani “Dorian”. Këtë parashikim e bëri Qendra Kombëtare e Uraganeve me seli në Miami të Shteteve të Bashkuara.

Uragani “Dorian” i goditi ishujt Bahamas më 1 shtator si stuhi e kategorisë së pestë dhe ishte një nga uraganet më të fuqishme që është regjistruar ndonjëherë në këtë shtet, duke sjellë erëra me shpejtësi deri në 298 kilometra në orë.

“Kostoja financiare e dëmeve të shkaktuara nga stuhia “Dorian” nuk është e qartë, por do të jetë në miliarda dollarë. Nuk duhet të presim që Ishujt Bahamas ta mbulojnë këtë faturë vetë”, tha sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili shkoi për t’i vizituar ishujt në shenjë përkrahjeje.

Stuhia tropikale “Humberto” nuk pritet ta shkaktojë nivelin e njëjtë të dëmeve që i shkaktoi uragani “Dorian”. Sidoqoftë, reshjet e shiu dhe erërat që mund të arrijnë shpejtësinë deri në 64 kilometra në orë mund t’i vështirësojnë përpjekjet për përmirësimin e gjendjes në pjesën veriore të Ishujve Bahamas, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.