Dy shetas kosovar, babë e bir, janë arrestuar të dielën nga policia italiane, pasi akuzohen për dhunim fizik dhe psikologjik të një 19-vjeçarje me kombësi maqedonase.
Mediat lokale në Rimini informojnë se me urdhër të prokurorisë italiane, policia arrestoi dy shqiptarët, 54-vjeç dhe 20- vjeç, të akuzuar për pengmarrje, dhunë dhe keqtrajtim ndaj një shtetase maqedonase, 19-vjeçe, e fejuar prej pak kohësh me djalin kosovar.
Mësohet se denoncimi është kryer nga babai i vajzës në Maqedoni, i cili i vënë në dijeni nga vajza në lidhje me situatën në të cilën gjendej, ka lajmëruar menjëherë policinë italiane.
Vajza, e cila i është nënshtruar edhe një kontrolli mjekësor në spitalin e Riminit, ka rrëfyer për autoritetet italiane se me 20-vjeçarin kosovar është njohur përmes Facebook-ut.
Mediat tregojnë se pas një muaji shkëmbim mesazhesh me 20-vjeçarin, vajza ka vendosur të largohet nga Maqedonia për të jetuar me të fejuarin në Rimini.
Pas mbërritjes së saj atje, historia e dashurisë është shndërruar në dhunë fizike dhe psikologjike për 19-vjeçaren.
I fejuari dhe vjehrri i kanë sekuestruar telefonin dhe pasaportën, duke e detyruar të shndërrohet në shërbëtore të tyre nën kërcënimin fizik e psikologjik./Rel/