Italia gjen selektorin e ri, pasuesin e Mancinit

Mungon vetëm zyrtarizimi. Në Itali e bëjnë të kryer se Luciano Spalleti është trajneri i ri i kombëtares italiane. Ai do të zëvendësojë Roberto Mancinin, i cili u largua papritmas disa ditë më parë.

Marketing

Siç raportohet, Spalletti do të firmosë kontratë me Federatën e Futbollit të Italisë deri në qershor të vitit 2026 dhe do të ketë pagë vjetore prej 2,5 milionë eurosh. Problemi i vetëm mbetet mosmarrëvesha që trajneri ka me Napolin. Presidenti Aurelio De Laurentiis këmbëngul se nuk do të lejojë 64-vjeçarin të ndërpresë kontratën e tij nëse nuk përputhet klauzola e lirimit.

Nga ana tjetër, Federata Italiane duket optimiste dhe po bën çmos me avokatët që zyrtarizimi i Spalletit të bëhet sa më shpejt dhe çdo gjë të zgjidhet me konsensus. Gjithçka pritët të zgjidhet brenda këtyre ditëve, ndërsa Spalleti është i bindur për aventurën e tij të re, madje ka rënë dakord dhe për stafin e ri të kombëtares.

64-vjeçari u largua nga Napoli në maj, pas një sezoni fantastik, ku në fund fitoi dhe titullin kampion. Nëse çdo gjë shkon sipas planit, ai do të debutojë me Italinë muajin e ardhshëm, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2024”.

Marketing