Italia ka ngrirë asetet e oligarkëve rusë me vlerë prej 2 miliardë eurosh

Italia ka ngrirë asetet e oligarkëve rusë me vlerë rreth 2 miliardë euro, që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia vitin e kaluar, tha të martën Banka Qendrore e vendit.

Marketing

Italia sekuestroi asete, duke përfshirë llogari bankare, vila luksoze, jahte dhe makina, si pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Kremlinit dhe mbështetësve të tij.

Në raportin e saj vjetor, njësia e Bankës së Italisë kundër pastrimit të parave, e njohur me akronimin UIF, tha se kjo shifër prej 2 miliardë eurosh është përditësimi i fundit, me muajin qershor të këtij vitit të përfshirë në të.

Drejtori i UIF-së, Enzo Serata, shtoi se pronat financiare me vlerë rreth 330 milionë euro, të lidhura me 80 individë, ishin ngrirë si pjesë e masave të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Përpara fillimit të luftës në shkurt të vitit 2022, plazhet dhe portet e Italisë ishin një destinacion i famshëm për rusët e pasur, të cilët blenë prona në vende të njohura turistike si Liqeni i Komos, Sardenja, Toskana dhe bregdeti i Ligurisë.

Këshilli i Bashkimit Evropian muajin e kaluar e ka miratuar pakon e 11-të të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Përmes kësaj pakoje, Bashkimi Evropian po tenton t’ua pamundësojë vendeve dhe kompanive të tjera t’i anashkalojnë masat e vendosura më parë.

Këshilli i publikoi sanksionet pas miratimit të tyre më 23 qershor, duke thënë se pakoja do të sigurojë që sanksionet e BE-së kundër Rusisë “të zbatohen edhe më mirë, bazuar në mësimet e nxjerra nga zbatimi i tyre gjatë vitit të kaluar”.

Sanksionet e fundit synojnë t’i mbyllin zbrazëtirat në atë mënyrë që mallrat dhe teknologjia kyçe për përpjekjet luftarake të Rusisë të mos arrijnë në Rusi nëpërmjet vendeve që tregtojnë me BE-në./REL