Italia ka vendosur të lejojë ceremonitë martesore, dhe çiftet nuk do të jenë më të detyruar të mbajnë maska. Ndërkohë në muajin shtator pritet të rifillojë edhe shkolla, por duke respektuar distancimin social dhe ruajtjen e higjienës në mënyrë rigoroze.
Çiftet e reja në Itali nuk janë të detyrurara të përdorin maskat gjatë ceremonisë martesore dhe u lejohet puthja në altar.
Që prej nisjes së pandemisë së koronavirusit këto tradita martesore ishin ndalur me dekret të qeverisë Conte.
Vendimi i marrë nga Komiteti Tekniko-Shkencor ka hyrë në fuqi nga kjo e shtunë.
Kërkesa erdhi pasi Konferenca Episkopale e Kishës Katolike Italiane argumentoi se “çiftet e reja nuk mund të konsiderohen të huaj për njëri-tjetrin, ndaj është i tepërt përdorimi i maskës në altar.”
Njëkohësisht është lejuar të hiqen dorezat njëpërdorimshe gjatë kungimit, me rekomandimin e peshkopëve dhe të ruhet higjena me përdorimin e solucioneve dezinfektuese, raporton Ora News.
Por vazhdon të jetë i detyrueshëm përdorimi i maskave për priftërinjtë. Komiteti Tekniko Shkencor ka rekomanduaer që duart e celebruesit të meshës mos të jenë në kontakt me ato të besimtarëve.
Mbetet e detyrueshme edhe distanca të paktën 1 metër nga një besimtar në tjetrin.
Ndërkohë në muajin shtator pritet të rifillojë edhe shkolla, por duke respektuar distancimin social dhe ruajtjen e higjienës në mënyrë rigoroze.
Autoritetet kanë filluar përgatitjet për të siguruar që nxënësit të kthehen në një ambient të sigurt.
Maska tani është e detyrueshme, por afër fillimit të vitit shkollor Ministria e Arsimit mund të vendosë ta heqë atë.
Mësimi do të organizohet me turne, ndaj qeveria ka krijuar një fond të posaçëm për punësimin e 50,000 mësuesve të përkohshëm.