Pas emërimit të ministres së Punës e Politikës Sociale, Rashella Mizrahi, që vjen nga komuniteti hebraik në Maqedoninë e Veriut, përveç reagimeve politike, për fat të keq pati edhe reagime që shprehin gjuhën e urrejtjes dhe antisemitizmit. Prandaj, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, si institucion shkencor që kujdeset në mënyrë të veçantë për temën e Holokaustit, e dënon gjuhën e urrejtjes mbi baza antisemite dhe, me këtë rast, kërkon që edhe institucionet e tjera shkencore e kulturore, e veçmas partitë politike, të deklarohen duke i gjykuar këto deklarime antisemite. Në të vërtetë, ky është një detyrim i joni i përgjithshëm si shoqëri dhe si shtet, që më 11 mars 2018 në Kuvendin e Republikës ka miratuar një Deklaratë që e dënon Holokaustin ndaj Hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore dhe në të cilën përfaqësuesit e të gjithë qytetarëve zotohen se do ta mbrojnë diversitetin, duke e dënuar gjuhën e urrejtjes dhe veçmas do të jenë luftëtarë kundër antisemitizmit dhe ksenofobisë. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë kohezion dhe kujdes ndaj kësaj teme, në mënyrë që mos të lejojmë asnjëherë të na përsëritet e kaluara e dhimbshme dhe traumatike.