ITSHKSH, marrëveshje bashkëpunimi me Muzeun Historik Kombëtar

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, me të cilën parashihen një sërë aktivitetesh të përbashkëta.

Marketing

Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga drejtori i Institutit, dr.Skender Asani dhe drejtori i Muzeut, dr. Dorian Koçi, në vigjilje të hapjes së ekspozitës së përbashkët me rastin e dyvjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se kjo marrëveshje po konkretizohet me ekspozitën dokumentare për familjet katolike shqiptare në Shkup “Jeta përmes kujtimeve”, si dhe me librin me të njejtën përmbajtje. Në kalendarin e aktiviteteve të përbashkëta janë edhe projekte tjera që kanë për qëllim ndriçimin dhe promovimin e personaliteteve dhe ngjarjeve të rëndësishme nga historia e popullit shqiptar, tha Asani.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, nënvizoi nevojën e bashkëpunimit të ndërsjelltë në mes dy institucioneve shtetërore, të cilat kanë shumë gjëra të përbashkëta që do të shtjellojnë sëbashku. Ai sqaroi se me këtë memorandum parashihet realizimi i botimeve, konferencave shkencore, ekspozitave, aktiviteteve e projekteve të përbashkëta, të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjella ndërmjet dy institucioneve.
Nesër, më 5 shtator 2018, prej ora 11:00, në sallën UNESKO të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, do të hapet ekspozita dokumentare “Jeta përmes kujtimeve”, si dhe do të promovohet libri “Familjet katolike shqiptare në Shkup”.