Figura e atdhetarit, mësuesit, intelektualit erudit Naim Ibrahimi, ishte në qendër të një eventi përkujtimor të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.
Në këtë ceremoni ishin të ftuar intelektualë e veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët nuk u kursyen që ta nderonin me respekt të thellë, profesorin Naim Ibrahimi, i cili gjatë jetës së tij vuajti shumë për shkak të shqiptarizmës.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani, në fjalimin e tij theksoi se figurën të cilën sot e përkujtojnë është madhështore, që ka kontribuar dhe ka dhënë jetën për çështjet kombëtare. Asani shtoi se është privilegj për institutin që e drejton ai ta kujtojnë profesor Naim Ibrahimin, i cili ka bërë shumë në kohën kur shqiptarët po kalonin vitet më të vështira, sikurse ato të viteve ’80 të shekullit të kaluar.
Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve
“Jorastësisht ne e kemi marrë për obligim që çdo lëvizje kombëtare, çdo personaliteti i cili ka kontribuar për çështjen kombëtare të shënohet dhe të merr formë institucionale, sepse është historia jonë, është thelbi i identitetit tonë”
Fjalë rasti dhe evokim kujtimesh pati edhe veprimtari i çështjes kombëtare, Avni Dehari. Ai gjatë fjalimit të tij nënvizoi se duhet të jenë krenarë të gjithë shqiptarët në trojet etnike, pasi Ibrahimi ka qenë aktivist, i cili ka punuar për plotësimin e të drejtave kombëtare. Dehari tha se Naim Ibrahimi gjithmonë ka gjetur mënyra që nxënësit t’i pajisë me njohuri kombëtare, në kohën kur ishte kufizuar çdo gjë që frymonte shqip.
Avni Dehari, veprimtar i çështjes kombëtare
“Për Naimin nuk ka pasur kufizime. Krahas programit që ka pasur, që ka qenë i përgatitur nga Ministria e Arsimit të Republikës së Maqedonisë, ai ka gjetur mënyra që nxënësit t’i pajis me njohur të historisë kombëtare edhe pse nuk lejohej”.
Gjatë këtij evenimenti, fjalën e mori edhe veprimtar tjetër i çështjes kombëtare, Sami Kurteshi, i cili foli për guximin, trimërinë që e karakterizonte atë në kohërat kur jo të gjithë e ngrinin zërin për çështjet kombëtare.
Sami Kurteshi, veprimtar i çështjes kombëtare
“Unë në kujtesë e kam një njeri që kurrë nuk ka ditur të frikësohet, një njeri që për mu ka qenë shumë i pjekur, unë më vonë kam kryer funksione të ndryshme në universitet, por për mua ai ka mbetur si një njeri i pjekur, i qëndrueshëm, dhe i vendosur”.
Ndërsa, Shpëtim Pollozhani, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, tha se Ibrahimi kishte aspirata të qarta, atë të bashkimit shqiptarë. Pollozhani shtoi se që kur ishin së bashku në burg e kishte vërejtur se ishte stoik dhe me integritet të lartë për qëllimet e tij. Por njëkohësisht nuk harroi ta përkujtojë edhe trimërinë e bashkëshortes së Naimit, e cila çdoherë i ka qëndruar në krah të shoqit.
Shpëtim Pollozhani, Kryetar i Shoqatës të Burgosurve
“Ai nuk u burgos vetëm për atë që e akuzonin, të ashtuquajturën veprimtari armiqësore nga pozita e nacionalizmit. Ai u burgos se është një përfaqësues model, sikurse e thanë edhe parafolësit që kanë punuar sëbashku, që bënte dritë aty ku vepronte dhe jo vetëm”,
Gjithashtu në ceremoninë përkujtimore për nder të profesorit Naim Ibrahimi, fjalë rasti dhe evokim kujtimesh patën edhe profesor doktor, Minir Ademi, ish nxënësi i Naim Ibrahimit, Etem Xheladini, Orhan Ibrahimi, bashkëveprimtar i të ndjerit, profesor doktor Nehas Sopaj, dhe fjalën mbyllëse dhe përshëndetëse e pati vajza e figurës së shquar kombëtare të Naim Ibrahimit.
Në ceremoninë e drejtuar nga hulumtuesi shkencor në Institut, Ardian Ramadani, u nënvizua se tashmë i ndjeri Naim Ibrahimi ishte simbol i rezistencës shqiptare.
Naim Ibrahimi ka lindur më 25 qershor të vitit 1942 në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, ku e kishte kryer shkollimin fillor, të mesmen në Kumanovë, ndërsa fakultetin Filozofik-drejtimi histori në Shkup, viti 1970. Më pas shkollimin e vazhdon në Zagreb, kurse ka punuar si profesor në
Kaçanik, Prishtinë, Kumanovë dhe Shkup.
Ai nga vitet e ’60-ta e deri në fund të jetës së tij më 4 mars të këtij viti, ka punuar për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.