ITSHKSH në Bllacë përkujton 24 vjetorin e golgotës së shqiptarëve të Kosovës

Në zonën ndërkufitare Kosovë-Maqedoni e Veriut përkatësisht në Kompleksin memorial “Bllaca 99”, në organizim të ITSHKSH u shënua 24 vjetori i golgotës shqiptare, që erdhi si pasojë e dëbimit masiv të shqiptarëve pas bombardimeve të NATO-s që kishin filluar më 24
mars 1999.Me këtë rast ITSHKSH në bashkëpunim me Komunën e Hanit të Elezit dhe Fondacionin “Hasan Prishtina” organizoi takim përkujtimor.

Marketing

Drejtori i ITSHKSH-së, Prof.dr. Skender Asani, kreu i Komunës së Hanit
të Elezit, përfaqësuesi i Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet
Prishtina, pasardhësi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, përfaqësuesi i
Fondacionit “Idriz Seferi”, Sabri Kadriu vendosën lule të freskëta në
Muralin e Kujtesës. Duke përkujtuar efektet që kishte prodhuar golgota e
para 23 viteve, prof.dr. Skender Asani vuri në dukje se Kompleksi
memorial “Bllaca 99” (Muri i Kujtesës, Parku Hasan Prishtina dhe Treni i
të zhvendosurve), i shërbejnë kujtesës sonë, jo vetëm për të freskuar të
kaluarën, por për të mësuar edhe hapat nga duhet të shkojmë në të
ardhmen. Së pari, tha ai, duke vendosur një standard të ri në memorimin
e të kaluarës, përmes projekteve që afirmon njeriun tonë në mikroplan
përmes sakrificës individuale dhe solidarizimit kolektiv dhe përmes
politikave shtetërore të cilat do të përpilonin një strategji unike në
formimit e institucioneve muzeale, ku do të konservohej dhe studiohej
historia e përpjekjeve titanike të popullit tonë për të ruajtur
vazhdimësinë edhe biologjike edhe kombëtare, u shpreh Asani.

“Kjo Qendër është themel i shtetësisë së Kosovës dhe gjithsesi do të
jetë sublimim i të gjithë kalvareve që iu ndodhën shqiptarëve ndër
shekuj, por do të shërbejë edhe si një urë afrimi e komunkimi në me të
dy vendeve. Prandaj, është koha që institucionet e Kosovës, të bëhen
pjesë e kësaj fryme që reflekton kjo Qendër, duke e shndërruar atë në
një akumulues institucional të memories historike të shqiptarëve”,
nënvizoi Asani.

Ndërkaq Mehmet Prishtina tha se pret që institucionet dhe shoqëria të
reflektojnë në ngritjen e memorires sonë kolektive në një rrafsh më të
konsoldiuar institucionalisht dhe shkençërisht.

“Qendra përkujtimore “Bllaca 99” e ideuar nga ITSHKSH në Shkup, ngërthen
në vete semantikën e vuajtjeve të shqiptarëve si pasojë e dëbimeve dhe
veprimeve gjenocidale të pushtuesve grabitçarë. Të kujtosh të kaluarën
nuk mjafton, nëse nuk i shtojmë edhe segmentin e institucionalizimit të
së djeshmes në emër të vrojtimit të së ardhmes”, nënvizoi Prishtina.

Kreu komunal i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, duke u zotuar se komuna
do të realizojë të gjitha veprimet e duhura sa i përket konsolidimit të
Qendrës Memoriale “Bllaca 99”. por u shpreh se për ringritjen e saj
nevojitet angazhim i Qeverisë së Kosovës.

Gazmend Boletini dhe Sabri Kadriu thanë se ky përvjetor i shënimit të 24
vjetorit të dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga vatrat e tyre, duhet të
na ndërgjegjësojë për hapat e duhur drejt një perspektive më të
ndritshme. ITSHKSH do të vazhdojë me projekte e ide konkrete të imponojë
vizionin e tij shkencor e kulturor se si duhet të institucionalizohet
memorja jonë kolektive, një kauzë kjo që do të duhej të merret si model
edhe nga institucionet e Kosovës, të cilat aktualiusht më tepër po
merren me fjalë boshe se sa me vepra konkrete.