Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, Instituti i Studimeve të Historisë Ushtarake – Tiranë,
dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtëtore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, kanë lëshuar një reagim të hapur në mbrojtje të vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas paraqitjes së propozim-akuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, ndaj dy ish-krerëve të UÇK-së. Në reagimin e nënshkruar nga drejtuesit e tre instituteve shkencore nga Prishtina, Tirana e Shkupi, përkatësisht Sabit Syla, Proletar Hasani dhe Skender Asani, thuhet:
-Angazhimet e faktorëve ndërkombëtarë të kohëve të fundit për rifillimin e
bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje paqeje, kanë
shpërfaqur një disonancë të faktorit Euro-Atlantik si dhe janë shoqëruar me një situatë të
presionit ndërkombëtar mbi palët, por presioni për çudi po bëhet në mënyrë shumë
selektive. Në njërën anë po ndodhë trajtimi preferencial i Serbisë, e cila vijon betejën
kundër pavarësisë së Kosovës, edhe pse në anën tjetër Qeveria e Republikës së Kosovës,
nën presionin e fuqishëm ndërkombëtar, hoqi dorë si nga taksa 100% në raport me
Serbinë, po ashtu dhe nga zbatimi i masës së reciprocitetit. Trysnia më e fuqishme
ndërkombëtare është publikimi i propozim-akuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar
të Kosovës, mbështetur nga Dhomat e Specializuara, në të cilën figurojnë emrat e dy nga
ish-themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: z. Hashim Thaçi,
president i Republikës së Kosovës dhe z. Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të
Kosovës.
Serbia dhe shumë pjesëtarë të forcave të saj policore-ushtarake, që kanë kryer
krime monstruoze të vërtetuara botërisht ndaj mijëra e mijëra shqiptarëve në Kosovë, nuk
janë vënë asnjëherë përpara përgjegjësisë ndërkombëtare, përkundrazi ata u shpërblyen
dhe u privilegjuan nga kjo e fundit për gjenocidin që e ka kryer në Kosovë. Populli i
shumëvuajtur i Kosovës ndjen se po i kufizohet liria dhe të drejtat e tij, të arritura përmes
rezistencës mbi njëshekullore kundër okupimit serb, po i cenohet arritja më e madhe
drejtësia e luftës së UÇK-së dhe fitoret e arritura prej saj në bashkëpunim më Aleancën
ngadhënjimtare të Atlantikut të Veriut.
Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e drejtë. Ajo drejtohej kundër një pushteti dhe
pushtuesi, i cili përreth një shekulli përpiqej me zjarr dhe hekur për spastrimin e
përgjakshëm etnik të Kosovës. Lufta e UÇK-së, ishte në përputhje me vlerat themelore të
lirisë së popullit shqiptar dhe me të gjitha parimet fondamentale të lirisë dhe ekzistencës
njerëzore të çdo populli. Pavarësisht formulimeve juridike, për shqiptarët por edhe për
këdo me gjykim të drejtë në botë, është e qartë se kush ishin çlirimtarët dhe kush ishin
pushtuesit dhe agresorët, të cilët për të ruajtur sundimin e tyre me dhunë, kryen krime të
shumta ndaj popullsisë civile shqiptare, të cilat bënë “xhiron e botës”. Asnjë institucion
apo klauzolë juridike, nuk ka fuqi që të përmbysë të vërtetën historike, e cila është një
dhe kalon shumë përtej klauzolave të tjera. Koha kalon, por nuk mund të mjegullojë të
vërtetën historike e cila është e qartë si drita e diellit.
Ne si institucione shkencore që merremi posaçërisht me të vërtetën historike,
apelojmë që propozim-akuzat të jenë të argumentuara dhe të bazuara në fakte në raport
me të vërtetën e dëshmuar dhe jo në disproporcion me të. Duhen gjykuar krimet serbe të
cilat ishin të përmasave aq të mëdha saqë morën trajtën e një gjenocidi etnik, fizik,
politik, kulturor dhe fetar, i paramenduar dhe i planifikuar nga Serbia, përkatësisht nga
qarqet e saj politike, shkencore, kulturore dhe ushtarake. Të gjitha këto kanë koston e vet,
pa harruar për asnjë moment vrasjet e mijëra qytetarëve të pambrojtur shqiptarë, jeta e të
cilëve nuk kompensohet me asgjë.
Pa hyrë në kompetencën e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit
Special të Kosovës, për ne si për këdo që vlerëson dhe respekton të vërtetën, është
absurde të lihen krejt në heshtje krimet serbe që patën si rezultat vrasjen e rreth 12.000
civilëve shqiptarë të grup moshave të ndryshme dhe propozim-akuzat të fillojnë me
drejtuesit e lëvizjes çlirimtare të këtij populli të shtypur që po i nënshtrohej një fushate të
egër të spastrimit etnik, totale e përfundimtare, e cila është konstatuar dhe vërtetuar nga
Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Në Kosovë, kundër popullit shqiptar luftoi ushtria, policia dhe të gjitha
institucionet shtetërore serbe. Sipas të dhënave zyrtare të Qeverisë jugosllave, në luftën e
Kosovës humbën jetën 1.008 policë e ushtarë. Nga kjo shifër, vetëm në Kosovë kishin
rënë 819 pjesëtarë të forcave serbe (ushtarë, ushtarë rezervistë, vullnetarë, policë e policë
rezervistë), të gjithë në ballafaqim me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe si pasojë e
sulmeve të NATO-së. Ata ishin pjesë e efektivave aktivë të Ministrisë së Punëve të
Brendshme (MPB), e rezervistëve të MPB, e efektivave aktive të Ushtrisë së Jugosllavisë
(UJ), e rezervistëve të UJ dhe vullnetarë të saj. Gjatë shekullit të kaluar, shteti serb ka
keqpërdorur në mënyrë flagrante edhe qytetarët serbë, duke i angazhuar në njësite
policore dhe ushtarake, në luftë kundër shqiptarëve, qofshin ata të armatosur apo civilë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka luftuar forcat qeveritare serbe të përfshira në
luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, të cilat paraqisnin një kombinim kompleks të
Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe njësive të saja speciale, të Ushtrisë së
Jugosllavisë (UJ) dhe njësive të saja speciale, forcave paramilitare, milicisë lokale dhe
një asortimenti luftëtarësh të sjellë nga jashtë, që të gjithë nën urdhrat e Qeverisë në
Beograd. Në prill të vitit 1999, kishte 15.779 pjesëtarë të MPB-së. Më 31 mars 1999,
Korpusi i Prishtinës kishte 17.971 ushtarë. Më 13 prill 1999, nën komandën e këtij
Korpusi gjendeshin gjithsej 61.892 pjesëtarë të UJ, përfshirë njësitet e tjera të
bashkëngjitura dhe vullnetarët. Kundër këtyre forcave të shumta, të armatosura mirë, me
teknikën më moderne të kohës, ka luftuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Duke ju referuar memories historike, të cilën e perifrazuam në këtë reagim, i
bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar të nivelit shtetëror, vendimmarrës dhe atij akademik,
opinionit krijues, gazetarë, humanistë dhe personalitete të shquara, që përgjegjësinë për
krime lufte ta kërkojnë te agresori që është Serbia dhe jo tek drejtuesit e UÇK-së. Me
këtë do të rikthenin shpresën dhe besimin tek populli i Kosovës dhe veçmas tek familjarët
e civilëve të masakruar dhe të të zhdukurve, që bota demokratike gjykon drejtë dhe
konform kësaj do të vendosë drejtësinë.
E kryejmë këtë reagim me besimin e plotë tek Zoti, tek paanësia e drejtësisë
ndërkombëtare dhe tek e drejta e luftës çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë së saj.
Prishtinë, më 10.07.2020
Prof. asoc. dr. Sabit Syla, INSTITUTI I HISTORISË “ALI HADRI” – PRISHTINË
Prof. dr. Proletar Hasani, INSTITUTI I STUDIMEVE TË HISTORISË USHTARAKE-TIRANË
Prof. dr. Skender Asani, INSTITUTI I TRASHËGIMISË SHPIRTËTORE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE-SHKUP