ITSHKSH: Qyteti i Shkupit bëri krimin e dytë ndaj bredhit të Nënës Terezës

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (ITSHKSH), ka akuzuar ashpër Qytetin e Shkupit për siç theksojnë nga ky Institut “krimin e dytë mbi bredhin e Nënës Terezë”.

Marketing

Nga Instituti thonë se në vend të revitalizimit të rrënjëve, rrënjët e drurit tashmë janë shkatërruar krejtësisht.

“Ende pa u tharë plagët e krimit të parë mbi bredhin e Nënës Terezë, Qyteti Shkupit, pa kurrfarë konsultimi paraprak, dhe përkundër kërkesave të njëpasnjëshme të ITSHKSH-së për një takim koordinues, vendosi që të kryej krimin e dytë mbi këtë bredh. Të udhëhequr nga një papërgjegjshmëri e plotë profesionale e etike, Qyteti i Shkupit përmes punonjësve të ndërmarrjeve komunale e ka shndërruar në një vend të vdekur hapësirën ku ishte i mbjellë bredhi i Nënës Tereze. Në vend se të bëhej revitalizimi i rrënjëve të këtij bredhi, punonjësit komunalë kanë hedhur tretje kimike në rrënjë dhe në hapësirën për rreth, duke e pamundësuar revitalizimin e tyre”, thuhet në reagimin e ITKSH-së.

ITSHKSH e dënon ashpër këtë krim të dytë mbi bredhin e Nënës Terezë dhe kërkon nga autoritetet e Qytetit të Shkupit të ndalin veprimet e tyre që shumë shpejt mund të kenë një epilog përgjegjësie në bazë të Ligjit që po përgatitet, e që parasheh masa adekuate ndaj gjithë atyre që e dëmtojnë trashëgiminë e Nënës Terezë.