Ivanov në takimin me Stoltenberg: NATO dhe BE nuk guxojnë të jenë alibi për marrëveshje të keqe

Besoj se vendi i duhur i Republikës së Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën e NATO-s. Do të vazhdoj t’i mbështes qëllimet tona strategjike. Por, Bashkimi Evropian dhe NATO në asnjë rast nuk guxojnë të jenë alibi për marrëveshje të keqe, theksoi presidenti Gjorge Ivanov në takimin e sotëm me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kumtoi kabineti i tij.

Marketing

Ai potencoi se që në vitin 2008 Republika e Maqedonisë i plotësoi kushtet për anëtarësim në NATO dhe tërë këto vite në mënyrë aktive duke kontribuar në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse e meriton anëtarësimin në NATO pa kushte plotësuese.

Presidenti i Maqedonisë më pas theksoi se Republika e Maqedonisë fuqimisht është e përkushtuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit dhe kontribuon për sigurinë brenda dhe jashtë rajonit tonë dhe se në vazhdimësi tregon se është partner i besueshëm dhe strategjik i NATO-s.

Ivanov theksoi se obligimet e tij si Komandant Suprem i forcave të armatosura lidhur me mbrojtjen kanë përfunduar dhe se ARM-ja i plotësoi detyrat e vendosura dhe arriti të dëshmohet si partner i barabartë me armatat e vendeve anëtare të NATO-s si në trajnimet, stërvitjet dhe kontrollet ashtu edhe në praktikë në zbatimin e operacioneve.

Duke i pasur parasysh sfidat e reja dhe reale me të cilat ballafaqohen rajoni dhe Evropa, shtoi presidenti Ivanov, ruajtja e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit tonë duhet të paraqesë interes kolektiv për të gjithë.

Temë e takimit ishte gjendja aktuale me politikën e brendshme në Republikën e Maqedonisë për integrimet euroatlantike të vendit dhe për progresin në reformat në mbrojtje dhe siguri në pajtim me standardet e NATO-s.

Njeriu i parë i Aleancës përveç me Ivanovin, sot do të ketë takime edhe me kryeministrin Zoran Zaev, me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, si edhe me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe me përfaqësues të lartë zyrtarë.

Stoltenberg në Kuvend do të ketë takime edhe me liderin e VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickovski.

Pas takimit Zaev dhe Stoltenberg është paralajmëruar pres-konferencë.

Krahas aktiviteteve dhe takimeve të tjera, sekretari i përgjithshëm do ta vizitojë edhe Stajkovcin ku në vitin 2016 disa ushtarë dhe pajisje të NATO-s ishin angazhuar për tejkalimin e pasojave nga vërshimet. Stoltenberg do ta vizitojë edhe kazermën Ilinden ku do të marrë pjesë në stërvitjen demonstruese të pjesëtarëve të forcave speciale.

Në kazermën e Ilindenit janë paraparë deklarata për mediat nga Stoltenberg dhe Shekerinska.

Marketing