Ivanov nën presion të mos amnistojë të dënuarit e 27 prillit

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, ende nuk ka vendosur lidhur me kërkesën e të dënuarve që të amnistohen lidhur me sulmin e dhunshëm në Kuvend, më 27 prill 2017.

Marketing

Nga kabineti i kreut të shtetit nuk bëjnë të ditur as numrin e personave që kanë kërkuar falje. Për dhunën në Kuvend janë dënuar 16 persona me gjithsej 211 vjet burg. Në mesin e të atyre që janë shpallur fajtor për veprën penale “rrezikim terrorist të sigurisë dhe rendit kushtetues”, është edhe Mitko Çavkov, ish Ministër i Punëve të Brendshme, por edhe zyrtar tjerë të VMRO DPMNE-së.

Paraqitja e kërkesës për falje, ndërkohë ka nxitur reagime të shumta në opinion duke kërkuar nga kreu në largim i shtetit që të mos ndërmerr një vendim për faljen e këtyre personave pasi do të bënte shkelje ligjore.

Kryeministri Zoran Zaev në vazhdimësi ka përkujtuar presidentin Ivanov se me ndryshimet ligjore të para dy viteve ai nuk gëzon më të drejtën ekskluzive për falje pa kaluar procedura edhe në institucione tjera, në veçanti në Ministrinë e Drejtësisë.

Kreu i qeverisë, në reagimin e tij, gjithashtu ka përmendur edhe zgjedhjet presidenciale që janë në rrjedh e sipër, e në të cilat mund të ndikohet me një vendim nga ana e presidentit.

“Një procedurë e tillë është e ndaluar pasi ndikon edhe në procesin zgjedhor, tek votuesit. Mund të ketë një hap të tillë por pas zgjedhjeve presidenciale që përfundojnë më 5 maj. Mandati i presidentit përfundon më 12 maj andaj edhe nuk pres asnjë falje nga ana e tij. Neni 11 i ligjit për falje nuk ekziston, ai është hequr, kështu që nuk ka asnjë bazë ligjore për të marr një vendim të tillë”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Debati për faljen ose jo të personave të dënuar për dhunën në Kuvend është komentuar, të dielën, edhe nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Ai ka hedhur dyshime mbi qëndrueshmërinë juridike të një vendimi të tillë, që siç thotë, do të nxis reagime të shumta.

“Nuk e di se sa ka legjitimitet për të ndërmarr një veprim të tillë pasishumë reagime, por përsëri i mbetet presidentit në largim që ta mendojë mirë se a do të jetë funksional një vendim i tillë”, ka deklaruae Ahmeti.

Ekspertët juridik, konsiderojnë se të dënuarit kanë të drejtë të kërkojnë falje, por në rastin konkret një kërkesë e tillë sipas Naser Zyberit, është e pa realizueshme. Sikur kryeministri Zaev, edhe Zyberi thotë se presidenti më nuk gëzon të drejtën ekskluzive për të falur ndërsa veç kësaj, këtë ia pamundësojnë, sipas tij edhe zgjedhjet presidenciale sikur edhe vepra e rëndë penale në bazë të të cilës ata janë dënuar.

“Vepra për të cilën ata janë të dënuar është edhe një kusht plotësues që e pamundëson marrjen e një vendimi të tillë. Pra, nuk besoj se Ivanovi mund t’ia lejojë vetes një luks të tillë pasi në të kundërtën do të bënte shkelje të rëndë dhe do të mund të gjendej para drejtësisë për shkelje të ligjit për falje”, thotë Zyberi.

Nga dhuna e protestuesve të opozitës në Kuvend, më 27 prill 2017 kishin pësuar shumë deputetë opozitar, përfshirë kryeministrin, Zoran Zaev dhe Zijadin Selën deputet i Aleancës për Shqiptarët dhe Zoran Zaev. Ata dhe shumë të tjera ishin sulmuar në momentin e pushtimit të Kuvendit nga protestuesit të cilët kundërshtonin zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit me arsyetimin se zgjedhjet ishin fituar nga VMRO-ja dhe se ajo duhej të vazhdonte të qeveriste me vendin.

Marketing