Ivanovi përgatitet për pension, interesohet për privilegjet e përjetshme

Presidenti në largim Gjorge Ivanov me një shkresë të shkruar i është drejtuar Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta dhe është interesuar për privilegjet e tij të përjetshme që i takojnë pas skadimit të mandatit. Më konkretisht është interesuar se sa buxhet i takon pas mandatit dhe cilat janë specifikat për formimin e kabinetit të një ish-presidenti.

Marketing

“Është marrë informata. Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta ka kthyer përgjigje se ai buxhet është 8% e Buxhetit vjetor që është paraparë për institucionin President i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se në kuadër të këtij buxheti duhet të dorëzohet një kërkesë deri tek Shërbimi për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta. Domethënë Kabineti i Presidentit duhet të dorëzojë kërkesë për hapësira afariste e kështu me radhë. Deri dje, një kërkesë e tillë nuk është paraqitur”, theksoi zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski.

Kjo do të thotë se Presidenti Ivanov pas skadimit të mandatit të tij më 12 maj nuk do të kthehet në ish-vendin e punës, profesor në Fakultetin Juridik pranë USHKM-së. Tani për tani ende nuk ka informacion se ku do të vendosen zyrat e Ivanovit si ish-President.

“U drejtuam deri te Kabineti për përgjigje se çka më konkretisht do të kërkojë Ivanov dhe a është kërkuar që të organizohet zhvendosja e tij nga Villa Vodno, por përgjigje nuk morëm. Kohëve të fundit, Ivanovi shmang komunikimin me mediat. Tashmë disa herë me radhë, TV21 nuk merr asnjë përgjigje nga Kabineti i tij”, Svetllana Unkovska gazetare.

Shefi i shtetit pas mbarimit të funksionit ka të drejtë për pension të përjetshëm, të ketë zyra me së paku tre profesionistë, sigurim personal, si dhe të drejtë shfrytëzimi të një veture zyrtare dhe shofer. Privilegje të këtilla gëzon edhe ish-Presidenti Branko Cërvenkovski. Ndryshe, Ivanovi e përfundon mandatin e dytë si President i shtetit.

Në krye të këtij funksioni ka ardhur në prill të vitit 2009, kur në zgjedhjet shënoi fitore kundrejt homologut të tij nga Fakulteti Juridik, Ljubomir Fërçkovski, kurse 5 vjet më vonë, në vitin 2014 për herë të dytë u bë President, duke e mundur Stevo Pendarovskin.