Ivanovska: Do të kërkojmë nga deputetët e ri të sjellin Ligj për origjinën e pronës

Jo gjithmonë ai që përfiton pronë, e vendos pronën në emrin personal. Do të kërkojmë nga deputetët e ri të sjellin Ligj për origjinën e pronës, deklaroi kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska në një intervistë për “Slloboden Peçat”.

Marketing

“Nga përvoja që kemi deri tani në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit, shohim se jo gjithmonë ai që fiton pronë, e vendos pronën në emrin e tij. Ky është problemi më i madh që mund ta theksojmë tani. Do të thotë bëhet transferim i pronës disa të afërmve tjerë të familjes, madje nuk duhet të jenë të familjes, mund të jenë edhe miq të afërt. Kjo është arsyeja pse ne, si Komision, jemi dakord dhe unanimisht kërkojmë nga parlamenti i ri të mbledh forcë apo vullnet politik dhe të miratojë Ligj mbi origjinën e pronës së të gjithë qytetarëve. Vetëm atëherë do të kemi pasqyrë të plotë se ku është prona dhe kush e posedon pronën. Mund të bëhet dhe do të jetë hap i madh përpara për të gjithë, për vendin tonë”, thekson Ivanovska.

Ajo sqaron se në listat anketuese deputetët duhet ta tregojnë gjendjen e plotë pronësore me të cilën disponojnë, gjithashtu duhet t’i plotësojnë listat për konflikt interesash.

“Me Ligjin e ri për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktin e interesave, ne ishim të detyruar të krijonim formular të ri. Sipas përmbajtjes, ne e rregulluam formularin, e përpiluam atë, por zgjidhja elektronike nuk është ende gati. Projekti që u mbështet nga USAID është tërhequr dhe në një farë mënyre duhet të shtyjmë deri në fund këtë zgjidhje të re për pyetësorët. Unë mendoj se shumë shpejt, javën e ardhshme do të shpallim tenderin për përgatitjen e programeve elektronike për pyetësorët që do të na lejojnë të ndjekim historikisht atë që ndodh në ndryshimin e pronës së personave të zgjedhur. Pjesë e këtij programi do të jetë regjistri i personave zyrtar dhe për këtë arsye i japim përparësi punës tonë. Unë pres që ky program të jetë gati dhe të vihet në provë deri në fund të vitit,” shtoi ajo.

Ivanovska thekson se edhe kësaj radhe listat anketuese deputetët dhe funksionarët e sapozgjedhur do t’i plotësojnë sipas përmbajtjes të vjetër për të cilën janë konfirmuar parregullsi, mangësi dhe dobësi.

“Ata do të duhet t’i sjellin ato personalisht në institucionin tonë ose t’i dërgojnë me postë. Softueri duhej të ishte funksional deri tani, por shumë gjëra kanë ndodhur që e bënë të pamundur”, thotë Ivanovska.

Kryetarja e Antikorrupsionit shton se të gjithë deputetët dhe funksionarët të cilëve po u përfundon mandati, gjithashtu janë të obliguar t’i plotësojnë dhe parashtrojnë listat anketuese deri te Komisioni.