Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit arriti marrëveshje me Ixhet Mehmetin, ish anëtar i Këshillit të Prokurorëve, i cili dyshohej për ndikime në kundërshtim me ligjin duke e shfrytëzuar funksionin e tij. Për këtë vepër parashihej dënim nga 1 deri në 5 vjet burg.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Islam Abazit, palët janë pajtuar, që për të dyshuarin Mehmeti të ketë dënim alternativ, përkatësisht dënim me kusht në afat prej 1 viti. Paraprakisht Mehmeti dha dorëheqje të parevokueshme nga Këshilli i Prokurorëve.
Gjithashtu, Gjykata i shqiptoi ndalesë për kryerjen e detyrës zyrtare, pra nuk mund të zgjidhet ose emërohet në afat prej tre vitesh, sepse e ka keqpërdorur funksionin. Mehmeti ishte i dyshuar në rastin me gjykatësit suprem Naqe Georgiev, i cili u kap duke marrë ryshfet me qëllim të uljes së dënimit për ish kryetarin e komunës së Novo Sellës.
“I dyshuari me firmosjen e propozim marrëveshjes pranoi fajin dhe pranoi veprën penale. Ai me marrëveshje paraprake me të dyshuarin e parë e ka shfrytëzuar ndikimin e tij si zëvendëskryetar dhe anëtar i Këshillit të Prokurorëve dhe gjatë muajit prill dhe maj të vitit 2024, përmes gjykatësit N.G i ka treguar dëshmitarit se gjoja ka ndërhyrë të mos ngritët propozim akuzë kundër babait të gjykatësit, i dyshuar për lëshimin e paautorizuar në përdorim të lëndëve narkotike”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Komunikimi me dëshmitarin është bërë përmes uatsapit, ndërsa Mehmeti nuk ka qenë në dijeni se bisedat e tij me gjykatësit i dëgjon edhe djali i të dyshuarit. Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Ixhet Mehmeti vullnetarisht e ka pranuar marrëveshjen dhe ka paralajmëruar se nuk do të ankohet. Marrëveshja do të dorëzohet në Gjykatë, e cila duhet të deklarohet nëse e pranon ose jo.
Rasti me ryshfetin prej 10 mijë eurosh u zbulua në maj të këtij viti, ndërsa Mehmeti këmbëngulte se nuk është fajtor dhe do ta dëshmojnë pafajësinë e tij, ndërsa vetëm pas pak muajsh firmosi marrëveshje me të cilën e pranoi veprën. Memeti ka qenë Ministër i Drejtësisë, Gjykatës Kushtetues, Avokat i Popullit dhe së fundi anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publik.