Izair Emini është futbollisti i Dritës, që doli pozitiv me koronavirus

Gazeta Express ka mësuar se futbollisti i Dritës, i cili doli pozitiv me Covid-19, është Izair Emini. Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut pritej t’i bashkohej skuadrës gjilanase në stërvitje, por tani detyrohet të vetizolohet në shtëpinë e vet në Tetovë.

Marketing

Drita njoftoi sot se njëri prej futbollistëve të saj ka dalë pozitiv në testin për Covid-19, duke mos e bërë të ditur emrin e tij.

Por burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se lojtari i infektuar me virus është Izair Emini nga Tetova.

34-vjeçari është dashur t’i bashkohej Dritës në stërvitje këtë të mërkure, por nuk do të jenë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, sepse do t’i kalojë dy javët e ardhshme në vetizolim në shtëpinë e vet në Tetovë.

Emini nuk ndodhej në Kosovë që prej pezullimit të Ipko Superligës në fillim të marsit si pasojë e pandemisë koronavirus.

Drita iu rikthye stërvitjeve para dy ditëve, menjëherë pasi Ministria e Shëndetësisë e dha dritën e gjelbër që klubet e Superligës t’i rifillojnë stërvitjet.

Futbolli në Kosovë pritet të rikthehet më 2 qershor me ndeshjet e Kupës dhe pastaj me ato të Ipko Superligës.

Drita është duke luftuar për titull kokë me kokë me liderin, Ballkanin, i cili e ka vetëm një pikë më shumë në krye të renditjes.