Izet Mexhiti: Festimi i Alfabetit dhe Ditës së Pavarësisë në Maqedoninë e Veriut, më madhështor se kurrë më parë

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i ftuar në Radio Televizionin e Shqipërisë, ndau detaje mbi organizimin e aktiviteteve me rastin e festës së Alfabetit dhe Ditës së Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë historike dhe simbolike të tyre për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Mexhiti theksoi se aktivitetet nisën me festën e Alfabetit të mbajtur në Manastir, qyteti që mban një vlerë të veçantë për shqiptarët, pasi aty është zhvilluar Kongresi i Alfabetit dhe ndodhet muzeu i tij. Festimet u hapën me një mbledhje solemne të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e udhëhequr nga kryeministri, në shenjë nderimi për Ditën e Alfabetit, dhe më pas vijuan me një seri aktivitetesh në të gjitha qytetet shqiptare të vendit.

“Është festuar si asnjëherë më parë,” deklaroi Mexhiti, duke nënvizuar se flamuri kombëtar shqiptar u ngrit lart dhe më lart, duke filluar nga çerdhet, shkollat, institucionet shtetërore dhe duke kulmuar me një koncert madhështor në sheshin Skënderbe në Shkup.

Ai gjithashtu u përpoq të bëjë një krahasim midis organizimit të festimeve në Tiranë dhe Shkup, duke kërkuar të përcaktojë se ku është më mirë. Sipas Mexhitit, festimet në Maqedoninë e Veriut këtë vit arritën një nivel të ri madhështie dhe organizimi, duke treguar përkushtimin e institucioneve shqiptare ndaj ruajtjes dhe promovimit të vlerave kombëtare.