Zv.kryeministri i qeverisë, Izet Mexhiti gjatë prezentimit të 100 ditëshit të parë të qeverisë deklaroi se ata paraqesin një kualitet të ri të përfaqësimit të shqiptarëve. Ky kualitet i ri i përfaqësimit bazohet në premisën e re që e ka përkufizuar si LIDERI NË QEVERI- JO NË SELI.
“Qysh me vendosjen e pluralizmit politik në Maqedoni, ishte vendosur rregulla e pashkruar se lideri i partisë shqiptare do të rrijë në parti, pa marrë përgjegjësi për politikat e qeverisjes. Kësisoji, amnistimi nga dështimet si dhe grumbullimi i lëvdatave për sukseset i përshkruheshin gjithnjë liderit që ishte në distancë. Ndërkohë, “eminencat gri” , “njerëzit e liderit” nëpër institucione zhvillonin rrjetin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithnjë në emër të liderit dhe, kuptohet, “interesave kombëtare”. Unë nuk jam politikan që do të rrijë në seli! Unë jam politikani që do të shkojë në punë në qeveri për çdo ditë, dhe për çdo ditë do të merrem me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Sepse qeveria është po ashtu detyrë dhe përgjegjësi. Në këtë frymë, dua të theksoj se si zv. Kryeministër i parë, do të promovoj një qasje të hapur dhe përgjegjësi përpara secilit qytetar”, ka thënë Mexhiti.