Izolohen kufijtë, funksional vetëm për nevoja të shtetit

Të gjitha vendkalimet kufitare të RMV-së për kalimin e shtetasve të huaj – udhëtarëve dhe automjeteve janë mbyllur, përveç për hyrje të maunave me mallra dhe të automjeteve të përfaqësuesve të korit diplomatik në RMV, si dhe për personat e tjerë për të cilët ekziston interes i veçantë shtetëror ose ekonomik.

Marketing

TVM2 gjatë ditës qëndroi në vendkalimin kufitar Tabanoc, ku përpos lëvizjes së kamionëve me mallra nuk vërehet asnjë lëvizje tjetër.

E njëjta situatë paraqitet edhe në vendkalimin kufitar Bllacë. Si Kosova, ashtu edhe Maqedonia, vazhdojnë të mbajnë të mbyllur kufirin ku lejohet vetëm qarkullimi mallrave.

“Policët kufitarë janë në komunikim të vazhdueshëm me njësitë organizative, gjegjësisht me organet e pushtetit lokal, Qendrën për Menaxhim me Kriza, Ministrinë e Mbrojtjes dhe shërbyesit e Armatës. MPB ka vënë në dispozicion vetura për nevojat e Armatës në zonat e krizës.”,- tha ministri i brendshëm, Naqe Çulev.

I mbyllur do të jetë edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, i cili me vendim qeveritar do të funksionojë vetëm për fluturime shtetërore, ushtarake, humanitare, spitalore dhe kargo.

Çulev njoftoi se MPB ka hapur linjën telefonike pa pagesë e cila do të punojë 24/7, ku qytetarët në maqedonisht dhe shqip do të mund të denoncojnë të gjithë ata që nuk zbatojnë rekomandimet e qeverisë.