Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti ka bërë të ditur për Radio Evropa e Lirë se pas konfirmimit se personi i infektuar me koronavirusin e ri është nga fshati Stubëll, komuna e Vitisë kanë marrë masa që i gjithë fshati të futet në izolim.
“Personi dyshohet të ketë pasur kontakte me persona të shumtë dhe për këtë arsye kemi bërë izolimin e tërë fshatit. Po ashtu ne karantinë janë edhe stafi mjekësor në qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Viti”, thotë Haliti.
Ai u bëri thirrje autoriteteve qendrore që t’i pajisin ata me masa mbrojtëse.
Më herët, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një konference të jashtëzakonshme për media, tha se pacientët e konfirmuar me COVID 19 janë një shtetase italiane e moshës 20 vjeçare dhe një burrë 77 vjeçar, shtetas i Kosovës.
Ai tha se gjendja e të infektuarve është stabile.
“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha ministri Vitia.
Të gjitha vendet e rajonit, përveç Malit të Zi, tashmë kanë raportuar raste me sëmundjen e koronavirusit të ri.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se më shumë se 132.500 njerëz janë diagnostikuar me Covid-19 në 123 vende të botës