Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i bëri thirrje të enjten kundërshtarit të tij kryesor Benny Gantz që të formojnë së bashku një qeveri uniteti, në kushtet kur zgjedhjet e përgjithshme nuk nxorrën një fitues të qartë.
Nëpërmjet një mesazhi filmik zoti Netanjahu tha se shpresat e tij për krijimin e një qeverie të krahut të djathtë nuk janë të mundshme për shkak të rezultatit në zgjedhje.
Ai bëri thirrje për bashkëpunim dhe i kërkoi zoti Gantz që të krijojë sa më parë një “qeveri uniteti me bazë të gjerë”.
Zoti Gantz, i Partisë së qendrës Bardhë e Blu, ka thënë se ai nuk do të bëhej pjesë e një qeverie uniteti për sa kohë që zoti Netanyahu do të ishte në krye të partisë Likud. Sipas një zëdhënësi zoti Gantz pritet të bëjë të ditur qëndrimin e tij më vonë gjatë ditës (e enjte).
Asnjë nga partitë nuk arriti të fitojë 61 vendet e nevojshme për të siguruar shumicën në parlamentin prej 120 anëtarësh. Partia Bardhë e Blu gëzon një avantazh prej dy vendesh në raport me partinë Likud.
Në mungesë të një fituesi të qartë duket se fati i qeverisë së ardhshme ndodhet në duart e Avigdor Liebermanit, kreu i partisë Yisrael Beytenu (Izraeli Shtëpia Jonë) Ai ka thënë vazhdimisht se është në favor të një qeverie uniteti, duke nënkuptuar një qeveri që do të përfshinte partinë e tij krahas atë Bardhë e Blu dhe Likud.