Izraeli sërish në zgjedhje

Parlamenti izraelit vendosi që vendi të mbajë zgjedhje të reaj më 2 mars të vitit që po vjen, të tretat me radhë në më pak se një vit, pasi që kryeministri Benjamin Netanyahu dhe rivali i tij kryesor, dështuan të merren vesh për një koalicion qeverisës.

Marketing

Me 94 vota për dhe asnjë kundër, ligjvënësit miratuan një mocion për shpërndarjen e parlamentit dhe caktimin e datës së re të zgjedhjeve. Vendimi u mor disa orë pasi që skadoi afati për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve të muajit shtator.

Në ato votime sikurse edhe të muajit prill, partia konservatore Likud e zotit Netanyahu ishte ‘fyt me fyt’ me partine Bardh e Blu të ish-gjeneralit Benny Gantz. Asnjëri nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme në Knessetin me 120 vende për të ngritur një koalicion të qëndrueshëm qeverisës.

Zgjedhjet e reja do të mbahen nën hijen e akuzave për korrupsion që u ngritën muajin e kaluar kundër kryeministrit Netanyahu.Duke mohuar çdo keqbërje, Netanyahu, 70 vjeç, ka akuzuar autoritetet ligjore për përpjekje për një “grusht shteti” që synonte rrëzimin e një udhëheqësi popullor. Kritikët pohojnë se zoti Netanyahu po përpiqej të pengojë shtetin e së drejtës dhe të vendosë në qendër të fushatës portretizimin e vetvetes si viktimë të një komploti shtetëror.

Si kryeministër, zoti Netanyahu nuk ka asnjë detyrim ligjor të japë dorëheqjen për shkak të aktakuzës, dhe ndërsa është në detyrë, ai mund t’u kërkojë ligjvënësve t’i japin atij imunitet nga ndjekja penale.

Si kryeministër në detyrë, zoti Netanyahu do të mbajë postin deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të reja, një proces që mund të zgjasë me muaj pas votimeve të marsit.