Izraeli sulmon Damaskun, 15 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve izraelite në Damask të Sirisë. Kjo shënon një nga sulmet më vdekjeprurëse në muajt e fundit ndaj kryeqytetit sirian. Sulmet kishin në shënjestër disa ndërtesa banimi në lagjen e pasur Mezzah në kryeqytet dhe zonën Qudsaya në fshatin e Damaskut, njoftoi media shtetërore siriane. Mes të vrarëve ka gra dhe fëmijë.

Marketing

Komandantët e grupit të armatosur të Hezbollahut të Libanit dhe Gardës Revolucionare të Iranit me bazë në Siri dihet se banojnë në Mazzeh, sipas banorëve që u larguan pas sulmeve të fundit që vranë disa figura kyçe nga grupet. Blloqet e larta të Mazzeh janë përdorur nga autoritetet në të kaluarën për të strehuar liderët e fraksioneve palestineze duke përfshirë Hamasin dhe Xhihadin Islamik.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se po godiste Xhihadin Islamik në Siri të enjten më herët dhe kishte “shkaktuar dëme të konsiderueshme në qendrën komanduese të organizatës terroriste dhe operativët e saj”. Xhihadi Islamik është grupi i dytë më i madh militant në Gaza. Sulmi i fundit vjen pasi sulmet ajrore izraelite u intensifikuan në Siri gjatë fundjavës, duke vrarë të paktën shtatë civilë dhe duke lënë 20 të plagosur, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve siriane SANA.

Zona ku u realizuan sulmet, në jug të qytetit të Damaskut ka një prani të Hezbollahut dhe është sulmuar nga Izraeli javët e fundit. Të mërkurën, ushtria izraelite tha se goditi “rrugët e kontrabandës” midis Libanit dhe Sirisë, që pretendon se janë përdorur për të transferuar armë te Hezbollahu.

Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit ka bërë kërcënime të reja kundër Izraelit, duke premtuar “hakmarrje” për sulmin e shtetit hebre në fund të tetorit në objektet ushtarake iraniane dhe gjithashtu për sulmet izraelite në Gaza dhe Liban. “Ne do të marrim hak, do të merrni goditje të dhimbshme, vazhdoni të prisni”, tha komandanti i Pasdaran, Hossein Salami, raportojnë mediat ndërkombëtare, gjatë një ceremonie në Teheran ku kujtoi numrin e palestinezëve që u vranë gjatë sulmeve të Izraelit në vitin e kaluar.

Marketing