Izraeli “vulos” marrëveshjen. Zbatimi nis të dielën, një ditë para inaugurimit të Trump

Kabineti i sigurisë i Izraelit ratifikoi marrëveshjen e armëpushimit për shkëmbimin e dhjetëra pengjeve që po mbahen nga Hamasi me qindra palestinezë të burgosur në Izrael, si dhe ndalimin e luftës 15-mujore në 6 javët e para.

Marketing

Zbatimi i marrëveshjes në fjalë do të nisë ditën e dielë, një ditë përpara se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, të marrë zyrtarisht detyrën.

Miratimi nga qeveria e Izraelit erdhi pas një vonese të papritur që ngjalli frikën se arritja e marrëveshjes mund të dështonte sërish.

Sipas fazës së parë të marrëveshjes, e cila do të zgjasë 42 ditë, Hamasi ka rënë dakord të lirojë 33 pengje, në këmbim të 50 të burgosurve palestinezë për çdo grua apo ushtar izraelit.

Izraeli ka deklaruar se emrat e pengjeve do të bëhen publike vetëm pasi të jenë dorëzuar në duart e ushtrisë.

Marrëveshja gjithashtu do të lejojë që në fazën e parë, palestinezët e zhvendosur nga banesat e tyre të lëvizin lirshëm në të gjithë Rripin e Gazës.

Njerëzit e plagosur supozohet të evakuohen për trajtim jashtë vendit dhe ndihma në territor duhet të rritet në 600 kamionë në ditë.

Faza e dytë e marrëveshjes parashikon rikthimin e pengjeve në Izrael, ndërsa faza e tretë shkëmbimin e trupave të pengjeve të pajetë me ata të anëtarëve të Hamasit, si dhe rindërtimin e Gazës pas luftës.

Megjithatë, rezultatet do të arrihen vetëm pasi faza e parë të ketë shkuar sipas planit.