Ja cilat janë të arriturat e Kryediplomatit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Marrëdhëniet e avancuara ndërfqinjësore, integrimet evropiane, pjesëmarrja në stabilitetin rajonal si partner i qëndrueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, forcimi i diplomacisë ekonomike dhe proaktiviteti në diplomacinë multilaterale, kanë karakterizuar diplomacinë e ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani dy vitet e para të mandatit të tij.

Marketing

Lista e sukseseve të misionit diplomatik, sipas Osmanit:

• Fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe fillimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

• Aktivitetet e Maqedonisë së Veriut për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet e hapura bilaterale, si dhe përmes pozicioneve të arritura të reja rajonale dhe promovimit të stabilitetit në rajon- duke veçuar këtu nismën B6, e cila është një grup joformal për komunikim të shpejtë ndërmjet ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

• Forumi i Prespës për Dialog vlerësohet si konferenca më e rëndësishme rajonale, e cila e vendosi Maqedoninë e Veriut në hartën e vendeve që njihen në botën e diplomacisë si vende që kontribuojnë aktivisht në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

• OSBE 2023 – është vula e suksesit si shtet, ku promovimi i vendit si faktor rajonal i stabilitetit dhe aktor aktiv i bashkëpunimit në rajon dhe afirmimi i tij si demokraci funksionale multietnike.

• Emërimi katër këshilltarëve ekonomikë në misionet diplomatike konsullore: Ankara, Abu Dhabi, Varshavë dhe Mynih, si dhe pjesëmarrjen në organizimin e ngjarjes më të madhe në botë, Expo Dubai 2020, që ishte një donacion nga Abu Dhabi dhe pjesëmarrja në Expo Osaka2025, të cilën ministri arriti ta sigurojë edhe si donacion nga nikoqiri gjatë vizitës së tij në Japoni.

Osmani sot para opinionit ka prezantuar një raport në të cilin janë dhënë edhe shumë detaje nga puna e dy viteve të fundit: nga hapja e Ambasadës së re në Bratisllavë e deri te projektet për diasporën, siç është MKarta dhe projekti shumë i rëndësishëm për qytetarët tanë jashtë vendit, përdorimi i stacioneve mobile për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit.

“Sigurisht që ka shumë projekte, shumë politika, shumë reforma dhe unë jam shumë i kënaqur me punën e bërë dhe rezultatet e arritura. Kjo është vetëm gjysma e mandatit, me të njëjtin ritëm do të vazhdojmë edhe për dy vitet e ardhshme”, ka përfunduar ministri Osmani.