Ja çka e pret Nikolla Gruevskin

Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski po apelon kundër dënimit të tij të fundit me dy vjet burg, por po pret gjithashtu vendimet gjyqësore në katër çështje të tjera që vazhdojnë kundër tij.

Marketing

Vendimi i fundit për dënimin me dy vjet burg të Nikolla Gruevskit, ish-kryeministri konservator i Maqedonisë dhe ish-lider i partisë së djathtë VMRO DPMNE – për përfshirjen në blerjen e paligjshme të një Mercedesi luksoze – nuk është fundi i problemeve të tij gjyqësore.

Gruevski aktualisht përballet me akuza penale në katër raste të tjera, tre prej të cilave tashmë kanë shkuar në gjyq.

Përveç çështjes së Mercedesit, të koduar me emrin “Tanku”, Prokuroria Speciale, SJO – e ngarkuar me hetimin e akuzave për krime të nivelit të lartë – paditi gjithashtu Gruevskin në rastet e koduara me emrin “Titaniku”, “TNT”, “Traektorija” dhe “Shamari”.

Në të gjitha këto raste, mbrojtja e Gruevskit këmbëngul se ai është i pafajshëm. Gruevski ka përsëritur në shumë raste se ai i sheh gjyqet si të motivuara politikisht nga qeveria aktuale e udhëhequr nga social demokratët.

Në rastin e parë, të koduar me emrin “Titaniku”, i parë nga ekspertët gjyqësorë si rasti më kompleks, Prokuroria Speciale paditi Gruevskin dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë të VMRO DPMNE për mashtrim zgjedhor në vitin 2013.

Në këtë rast, Gruevski akuzohet për tri akuza: lidhje kriminale, për të cilën ai rrezikon një dënim me burg prej një deri në pesë vjet; keqpërdorim të pasurive gjatë një fushate zgjedhore, për të cilën dënimi më i ulët është pesë vjet burg dhe shkelje të lirisë së zgjedhësve, për të cilën dënimi minimal është tre vjet burg.

Në rastin e dytë, të koduar me emrin “TNT”, Prokuroria Speciale e ka paditur Gruevskin për shpërdorim detyre, për të cilën dënimi maksimal është tre vjet burg.

Në këtë çështje, ai dyshohet se urdhëroi prishjen e një ndërtese që po ndërtohej nga ish-aleati i tij politik, Fijat Canovski, si një gjest hakmarrës politik ndaj partisë së vogël të Canovskit, Partia për të Ardhmen Europiane, PEI, pasi ajo u largua nga koalicioni i udhëhequr nga Gruevski.

Në çështjen e tretë, të koduar me emrin “Traektorija”, Gruevski akuzohet për ushtrimin të paligjshëm ndikimi, që mund të sjellë një dënim nga një deri në tre vjet burg.

Në këtë çështje, Prokuroria Speciale ka paditur Gruevskin dhe disa nga bashkëpunëtorë të tij të cilët besohet se kanë shkelur Ligjin e Prokurimit Publik duke i dhënë një kontratë prej 570 milionë eurosh për ndërtimin e dy zgjatimeve të autostradës një kompanie ndërtimi të preferuar kineze.

Në çështjen e katërt, e koduar me emrin “Shamari”, Gruevski tashmë është në gjyq, i akuzuar për urdhërimin e një sulmi ndaj një kryebashkiaku të opozitës dhe selisë së tij në komunë në vitin 2013. Ai akuzohet për nxitje të një vepre penale kundër rendit publik, për të cilën dënimi varion nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.

Gruevski gjithashtu mbetet i dyshuari kryesor në të paktën një hetim tjetër të madh dhe kompleks që Prokuroria Speciale nisi në maj të vitit të kaluar nën emrin e koduar “Talir” (“Monedha e argjendtë”).

Në këtë rast, Gruevski dhe dhjetë anëtarë të tjerë të VMRO DPMNE dyshohen për financim të paligjshëm të ish-partisë në pushtet përmes pastrimit të parave.

Të gjitha këto raste rrjedhin nga përmbajtja e përgjimeve të paligjshme që ish-opozita social demokrate bëri publike gjatë vitit 2015.

Transmetimi i këtyre përgjimeve të kryera në mënyrë të fshehtë të bisedave të zyrtarëve, së bashku me pretendimet e opozitës së atëhershme se ato vinin nga brenda policisë sekrete – dhe se Gruevski kishte organizuar përgjimin e paligjshëm të rreth 20.000 njerëzve – shkaktoi një krizë të thellë politike.

Pas 11 vjetësh në qeveri, partia e VMRO DPMNE e Gruevskit u rrëzua nga pushteti në maj të vitit të kaluar.

Marketing