Ish-shefi i shërbimit sekret DSK, Sasho Mijallkov pas daljes mbrëmë nga burgu i Shutkës është vendosur menjëherë në hotelin Marriot në qendër të Shkupit.
Ai pikërisht këtë hotel e ka edhe në adresën e tij të banimit, pas nxjerrjes së letërnjoftimit të ri. Mijallkov u arrestua javë më parë si i dyshuar në rastin “Perandoria” të hetuar nga Prokuroria Speciale.
Gjykatësja Vesna Dimishkova ka pranuar propozimin e Speciale për arrest shtëpiak për Mijallkovin. Siç mësohet ai gjatë orëve të mbrëmjes ka përfunduar në hotel, aty ku ka edhe ambientet luksoze, dhomat speciale, restorantin dhe kafeterinë e posaçme, dhomën e fitnesit dhe pishinat me të gjitha kushtet plotësuese. Mijallkov është një nga pronarët e këtij hoteli luksoz në sheshin e Shkupit.