Ja kur do të mbahet seancë për emërimin e Abazit për shef të PTHP NKOK

Këshilli i prokurorëve publikë të hënën më 14 nëntor do ta mbajë seancën e shtatëdhjetë, në rend dite të së cilës është sjellja e vendimit për emërimin e Islam Abazit për prokuror themelor publik në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit – Shkup.

Në rend dite të seancës së 70-të, gjithashtu, është edhe sjellja e vendimit për shpalljen e konkursit për përzgjedhjen e katër prokurorëve publikë në PTHP NKOK, pasi më 27 tetor Këshilli nuk zgjodhi asnjë nga gjashtë kandidatët e paraqitur në konkursin paraprak.

Marketing

Këshilli, sipas rendit të ditë të paralajmëruar, do të duhet të sjell edhe vendim për zgjedhjen e prokurorit të lartë publik në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup dhe në Gostivar, si dhe vendim për përzgjedhjen e prokurorit themelor publik në PTHP Manastir, PTHP Veles, PTHP Gostivar, PTHP Kavadar dhe PTHP Kumanovë.

Në zgjedhjet për shef të PTHP NKOK më 7 nëntor, më së shumti vota mori Islam Abazi – 66, i dyti nga katër kandidatët e paraqitur sipas numrit të votave ishte Ermon Neziri me 64 vota, ndërsa Vilma Ruskovska mori 14 dhe Desa Paunovska dhjetë vota.

Kjo është zgjedhja e parë e tillë e shefit të PTHP NKOK pas ndryshimeve të Ligjit për prokurorët publikë, ku sipas nenit 66, prokurori themelor publik i PTHP NKOK zgjidhet nga ana e Këshillit të prokurorëve publikë pas votimit të zbatuar nga ana e të gjithë 160 prokurorëve publikë në vend.

Prokurori themelor publik i Prokurorisë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit zgjidhet për një periudhë katërvjeçare nga radhët e prokurorëve publikë të zgjedhur me të drejtë zgjedhjes së sërishme.

Abazi në konferencë për shtyp një ditë pas zgjedhjeve tha se punën në këtë prokurori publike e sheh si sfidë dhe beson se me përvojën e tij të deritanishme dhe punën profesionale dhe ligjore do ta përfaqësojë PTHP NKOK. Si prioritet të tij, Abazi paralajmëroi plotësimin e vendeve të zbrazëta në prokurori dhe të vendeve të zbrazëta në qendrën hetimore dhe të vendoset digjitalizim në prokurorinë publike.

Votat e fituara nga kolegët prokurorë publikë, Abazi tha se janë përgjegjësi dhe motivim i madh, për të udhëhequr sa më mirë që është e mundur dhe sa më profesionale, siç tha, më e rëndësishme prokuroria publike të cilën në kompetencë të saj e ka luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.