Semimaturantët, pas dy ditësh do të mund të regjistrohen në arsimin e mesëm. Regjistrimi i nxënësve në do të bëhet në dy afate, shkruan Alsat.
Sipas konkursit, regjistrimi i parë për në shkollat e mesme do të bëhet nga 20 deri më 25 qershor, ndërsa afati i dyti në 1 dhe 2 korrik.
Regjistrimi i nxënësve do të realizohet përmes linkut në portalin e shërbimeve elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e-uslugi.mon.gov.mk, me njoftim të posaçëm për nxënësit e shkollave të mesme përmes llogarive të tyre në schools.mk.
“Regjistrimi i parë elektronik i nxënësve do të realizohet prej datës 20 qershor deri më 25 qershor 2024 deri në orën 15:00, ndërsa regjistrimi i dytë është më 1 korrik dhe 2 korrik 2024 deri në orën 15:00. Dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm në shkolla bëhet më 20, 21, 24 qershor nga ora 07:00 deri në orën 17:00 dhe më 25 qershor të vitit 2024 nga ora 07:00 deri në orën 15:00. Renditjen përfundimtare me rezultatet nga regjistrimi dhe vendet e lira çdo shkollë e publikon më 26 qershor, më së voni deri në ora 09:00 në vend publik në shkollë dhe/ose në faqen zyrtare të shkollës”, thonë nga MASH.
Për vitin akademik shkollor 2024/2025, sipas konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në shkollat e mesme publike në 913 paralele në 109 shkolla të mesme janë 30.053 vende të lira.
Nga numri i përgjithshëm i vendeve të lira në vitin e parë të shkollës së mesme, 19.602 janë në arsimin profesional./ Alsat.mk