Projekti i ashtuquajtur “Tunelet nën Kala”, do të fillojë me ndërtim në fillim të vitit të ardhshëm dhe i njejti pritet të përfundojë më së voni për 2 vite. Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov u shpreh se sipas vlerësimeve fillestare, pjesa ndërtimore e projektit do të kushtojë rreth 30 milion euro. Për këtë nga kryetari Shilegov, drejtorit të Bordit të Shoqatës Aksionare “Mega inzhenering konsalting” Ajkut Jilldirim dhe përfaqësuesit të grupit të ofruesëve Boris Taneski u nënshkrua marrëveshje për ndërtim infrastrukturor për ndryshim dhe plotësim të infastrukturës, e cila përmes një ure në qendër të Shkupit, tunele nën Kalanë e Shkupit dhe rrethrrotullime do t’i lidh bulevardet “Sveti Kliment Ohridski” me bulevardet “Nikolla Karev” dhe “Makedonsko – Kosovska Brigada”.
Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit
“Në bazë të Marrëveshjes që e nënshkruam sot, projektimi gjegjësisht projekti infrastrukturor do duhet të jetë gati deri në përfundim të këtij viti, pra deri në vitin e ri, diku 6 muaj për projektim. Vlerësimet tona janë që vlera ndërtimore e projektit do të kushtoj diku rreth 30 milion euro, megjithatë kjo do të jetë diçka për të cilën mund të flasim atëherë kur do të përfundoj projekti. I gjithë ndërtimi nuk do duhej të zgjatë më shumë se një vit e gjysmë deri dy vite”.
Arkitekti Boris Taneski si projektues edhe i bulevardit” Ilinden”, të “Kliment Ohridski”, i urës “Goce Dellçev”, u shpreh se ky projekt do të jetë i vështirë por dhe i kushtueshëm për tu realizuar.
Boris Taneski, përfaqësues i grupit të ofruesëve
“Me këtë Shkupi do të fitojë një perlë qyteti në trafik, do të zvogëlohet shumë koha e vozitjes, do të zvogëlohet edhe ndotja e ajrit nga pritja e veturave. Ky është një projekt i vështirë dhe i kushtueshëm. Pra ne shkojmë me një urë përmes Vardarit, urë e llojit si ‘Goce Dellçev’, me një tunel nën Kala, i cili do të jetë më pak i kushtueshëm se sa tunele në lokacione të tjera”.
Inxhinieri Ajkut Jilldirim deklaroi se do të japin më të mirën nga vetja pasi e kanë të qartë rëndësinë e projektit për Qytetin e Shkupit.
Ajkut Jilldirim, drejtor i Bordit të drejtorëve të Shoqatës Aksionare “Mega inzhenering konsalting”
“Më vjen mirë që jemi të kyçur në projekt. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij projekti dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme. Është kënaqësi për ne që jemi në këtë projekt, me çka janë përfshirë edhe Qyteti i Shkupit dhe Republika e Turqisë”.
Gjatë këtij viti deri sa të fillojë ndërtimi, do duhet të kryhen të gjitha procedurat teknike të projektit./Shenja.tv