Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, është figura rreth së cilës po i afrojnë qëndrimet LSDM dhe BDI për ta kandiduar si kandidate për president konsensual. Burime partiake nga të dy partitë thonë se Arifi për momentin ka gjasat më të mëdha të pasojë Gjorge Ivanovin dhe se është e pranueshme për strukturat më të gjera të dy partive, për këtë post.
Përveç në LSDM dhe BDI, pritet të sigurojë përkrahje edhe nga shumica e partive tjera që janë pjesë e koalicionit qeveritar. Anketat e realizuara interne kanë treguar se Teuta Arifi gëzon mbështetje edhe nga komunitetet tjera, veç shqiptarëve dhe maqedonasve.
Ajo që rrit gjasat e Arifit për kandidate konsensuale, por edhe për fitore në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, është përkrahja e madhe që gëzon nga bashkësia ndërkombëtare. Veç kësaj, ndërkombëtarët preferojnë që Maqedonia në vitin 2019 njëkohësisht të fitojë presidenten e parë (femër) dhe presidentin e parë shqiptar. Një gjest i tillë do të dërgonte mesazh mjaft pozitiv drejt Brukselit edhe para fillimit të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE./Almakos