Nën organizim të Sekretariatit për çështje evropiane (SÇE) sot ëstë shënuar përvjetori i 17-të i Marrëveshjes së Ohrit në Klubin e deputetëve në Shkup.
Fjalim rasti ka pasur kryeministri Zoran Zaev, lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe mysafirë të tjerë, ku theksuan rëndësinë e madhe të këtij dokumenti.
Por siç e dimë deri tani ka ndodhur që për këtë përvjetor të kujdeset vetëm BDI e Ali Ahmetit, jo edhe partitë tjera, qoftë edhe ato shqiptare, njofton Medial.mk.
Pra, as Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës, as edhe dy BESAT, ajo e Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit nuk e shënuan MO-në, bile nuk pati asnjë urim prej tyre për këtë përvjetor. Përmes një komunikate për media sot doli vetëm RDK e Vesel Memedit.
Edhe pse si nënshkrues, në përvjetorin e sotëm nuk morën pjesë as edhe nënshkruesit e këtij dokumenti në 2001, ish kryetarët e LSDM-së dhe VMRO-së, Branko Cërvenkovski dhe Lupço Georgievski.
I pari i BDI-së Ali Ahmeti tha se edhe optimistët më të mëdhenj nuk do të mendonin se pas 17 vitesh vendi do të jetë shembull apo model që të instalohet praktika se si ne zgjidhim problemet në Maqedoni, “si një konflikt i armatosur e transformuam në dialogun me qëllim gjetjen e zgjidhjes së problemeve dhe kjo funksionoi”.
Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev tha se MO-ja i dha fund konfliktit të vitit 2001, me MO-në u mbrojtën sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit, ndërsa garanton respektimin e parimit të mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë njerëzve para ligjit.