Për më 4 dhjetor është prolonguar procesi gjyqësor për lëndën “Fortesa-Target”. Kryetarja e Këshillit Penal, Xheneta Begtoviq, të hënën tha se shkak se të akuzuarit Sasho Mijallkov, ishshef i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, i është shqiptuar masa e paraburgimit dhe mos pasja e mundësisë që i njëjtë menjëherë të sillet në gjykatë, seanca gjyqësore anulohet për muajin e ardhshëm.
Përveç aktakuzës për realizimin e përgjimeve masive të jashtëligjshme, Mijallkov nga ana e Prokurorisë Speciale Publike hetohet edhe në rastin “Titanik 2”, “Arka” dhe “Tortura”, ndërsa mbrëmë, me pranga në duar është nxjerrë nga hoteli Meriot dhe është dërguar në Shutkë. Kësisoj, para datës 4 dhjetor kur është caktuar gjykimi për rastin në fjalë, Mijallkovi nga burgu i Shutkës për në Gjykatën Penale të Shkupit duhet të transferohet fillimisht më 27 nëntor, në gjykimin për lëndën “Titanik 2” dhe më 29 nëntor për rastin “Arka”.
Ndryshe, në vendimin e GJPSHsë për shqiptimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin Mijallkov, qëndron se personi në fjalë ka arsye të arratiset për shkak se në llogari të një personi juridik, ku merr pjesë edhe ai, figurojnë 8 milionë euro, gjegjësisht në emër të tij në xhirollogari posedon 3 milionë euro. Avokatët e tij, duke e komentuar këtë arsyetim në vendimin për paraburgimin, kanë thënë se PSP edhe më herët e ka pasur të njohur gjendjen financiare të Mijallkovit dhe se miliona eurot nuk kanë qenë të fshehura.
Në ndërkohë, hetime shtesë kundër Mijallkovit po bëhen edhe në lëndën e re të PSPsë, “Perandoria”. Kështu që, burime gjyqësore thonë se pas skadimit të afatit 30-ditor për paraburgim në Shutkë, Mijallkovit sigurisht do t’i shtohet masë plus e paraburgimit për lëndën “perandori”, ndërsa edhe kjo masë do të mbështetet me argumente për mundësi arratisje nëse lirohet të mbrohet në liri.
Vala e re e paraburgimeve të kërkuar nga PSP u aktualizua pasi në rrethana ende të panjohura për autoritet vendase, javën e kaluar arriti të arratiset Nikolla Gruevski, i dënuar në rastin “Tank” dhe i akuzuar në disa procese tjera vijuese. Fillimisht prokuroria speciale e Katica Janevës, nga informacione të mbledhura nga shërbimet e sigurisë, ju shqiptoi masën e paraburgimit Mile Janakievskit dhe Kirill Bozhinovskit.
Gjatë arsyetimit të këtij vendimi, prokurorja speciale Lile Stefanova tha se Janakievski dhe Bozhinovski kanë planifikuar arratisjen nga vendi, pasi paraprakisht kishin dështuar përpjekjet për të fituar amnisti nga presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov. Me këtë rast, PSP ditë më parë paralajmëroi se në “shtetin tonë nuk ka njerëz të paprekshëm”, duke aluduar në figurën e Sasho Mijallkovit dhe të tjerëve.(koha)