Ja sa është fitimi i bankave vetëm për gjashtë muaj

Bankat e Maqedonisë kanë fituar afër 90 milionë euro në gjashtë muajt e parë të vitit, që është për 80 për qind më shumë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sa për ilustrim të fitimit të madh të bankave, vlen të theksohet se fitimi i bankave në periudhën janar-qershor këtë vit është i përafërt me tërë fitimin e vitit 2017 që ishte 106 milionë euro, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Analiza e punës financiare të bankave tregon se rritja kaq e madhe e fitimit rrjedh nga pagesa e borxheve që ka pasur kombinati Feni nga Kavadari ndaj Bankës Komerciale dhe Stopanska Bankës, si dhe shitjes së Fondit Pensional që e zotëronte Tutunska Banka. Me fjalë tjera, tre bankat më të mëdha në vend: Stopanska, Komercijalna dhe Tutunska kanë fitime prej 70 milionë euro, ndërsa 11 bankat e tjera kanë fituar afër 20 milionë euro.

Banka Komerciale më 13 mars të këtij viti nënshkroi marrëveshje për shitjen e kërkesave të saja financiare për Feni Industri në falimentim me vlerë prej 1.495.913.713 denarë, ndërsa në të njëjtën ditë u realizua edhe shitblerja e borxheve që Feni kishte ndaj Stopanska Banka në vlerë prej 921.839.342denarë, ndaj fondit zviceran GSOL.

Në ndërkohë, të dhënat nga Bursa e Maqedonisë tregojnë se Stopanska Banka nga transaksioni i lartpërmendur, por edhe nga fitimet e tjera në emër të kamatave dhe kompensimeve të tjera, ka fituar 31 milionë euro, ndërsa Banka Komerciale në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka fituar afër 21 milionë euro. Në rritjen e fitimit të Bankës Komerciale ka ndikuar edhe shitblerja e pronës së fabrikës së vajit Briljant nga Shtipi, që i është shitur kompanisë Vitaminka nga Prilepi për afër 7 milionë euro. Fitime të larta me 19 milionë euro ka shënuar edhe Tutunska Banka si rrjedhojë e rritjes së fitimeve nga kamatat, provizionet, por edhe të ardhurave të tjera siç ishte shitja e Fondit Pensional që e bleu kompania gjithashtu sllovene Sava Re.

Nga ana tjetër, bankat e tjera kanë shënuar fitime më të ulëta prej qindra mijë deri disa milion euro. Në total, fitimi i 11 bankave të tjera arrin në afër 20 milionë euro.

Njohësit e sistemit financiar thonë se fitimet kaq të larta të bankave më të mëdha në shtet krahas shitjes së pronës që bankat e kanë pasur në dorë si garanci për kthimin e kredive, i detyrohet edhe dallimeve të mëdha midis fushatave që paguhen për depozitat dhe kamatave që bankat i paguajnë për dhënien e kredive.

“Në favor të fitimit të madh të bankave shkon edhe margjina e madhe e kamatës, apo me fjalë të tjera, e dallimit në përqindje midis kamatave aktive dhe pasive që gjendet në një nivel historik më të lartë”, thotë eksperti financiar, Pavle Gacov.

Ekspertët e tjerë thonë se nuk është për tu habitur me suksesin e madh financiar të bankave në raport me bizneset e tjera që kanë probleme me mbijetesën e tyre dhe fitimin shumë më të vogël në raport me harxhimet e ndryshme.

“Fitimet e mëdha të bankave kanë të bëjnë me kujdesin e madh që bëjnë ato me kreditimin e atyre klientëve që mund të kthejnë pjesën kryesore të borxhit, por edhe kamatat. Nga ana tjetër, me kreditimin e amvisërive shpërndahet rreziku .Një politikë e tillë shumë konservatore sjell edhe fitim jo vetëm tek bankat më të mëdha, por edhe tek ato më mesme”, thotë ish guvernatori i Bankës Qendrore, Lube Trpevski.

Në ndërkohë, bankierët paralajmërojnë se pas hyrjes së Maqedonisë në Bashkimin Evropian do të zvogëlohen edhe fitimit e bankave, apo do të lirohen edhe kreditë për qytetarët dhe firmat, si rrjedhojë e uljes së dallimit midis kamatës së kursimeve dhe kredive prej 5 për qind.

“Kur do të arrijmë që sa më shpejt të anëtarësohemi në BE, patjetër se kjo margjinë apo dallim kamatash do të zvogëlohet, dhe atë nën presionin e investimeve dhe aktiviteteve të bankave. Nëse punojmë vetëm në uljen e margjinës pa investime, atëherë vetë bankat do të kishim më pak fitime, ndërsa duhet të dimë se bankat stabile dhe profitabile kanë një rëndësi të madhe për një ekonomi”, deklaroi Antonio Argir, drejtor i NLB Bankës.

Sipas tij, edhe tani në Maqedoni është e rregulluar kamata maksimale e kredive, ndërsa bankat nuk mundet si t’u teket të formojnë shkallët e kamatës. Bankat në mënyrë transparente i tregojnë të gjitha harxhimet dhe klienti e di se sa do të pagojë tani dhe në të ardhmen, për dallim prej disa kompanive që ofrojnë kredi përmes ueb aplikacioneve dhe pastaj dalin me harxhime të fshehta.

Ndryshe, ekonomistët vlerësojnë se shkallët e kamatave varen prej ofertës dhe kërkesës së të hollave në tregun financiar, investimeve më të madhe private apo shtetërore, si dhe situatës stabile politike në një shtet. Gjithashtu, Maqedonia dhe shtetet e rajonit nuk prodhojnë “para”, apo kanë nivel shumë të ulët të prodhimeve dhe shërbimeve për shitje jashtë, kanë minus në këmbimin tregtar andaj edhe nuk mund të ulin më shumë kamatat. (koha.mk)

Marketing